Që nga viti 2018, kur është dhënë ‘drita e gjelbër’ se Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për heqjen e vizave, sot e atë ditë qytetarët kosovar vazhdojnë të jenë të izoluar, shkruan Gazeta “Enigma”.
E përkundër skepticizmit të shteteve më me ndikim të BE-së, njohësit e çështjeve ndërkombëtare shprehen optimist se liberalizimi mund të ndodh në vitin e ardhshëm, teksa nga Qeveria kanë deklaruar se kanë dhënë tashmë sinjale pozitive në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit,
Lidhur me procesin e heqjes së vizave, zëdhënësi i Qeverisë “Kurti”, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, teksa fajin e ka hedhur tek politika e brendshme e shteteve anëtare.
“Ky është një vendim i cili i takon BE-së, përkatësisht vendeve që vazhdojnë të shprehin një dozë skepticizmi ndaj Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kjo qasje, ky qëndrim dhe këto vendime përcaktohen nga dinamikat e brendshme politike të këtyre vendeve. Pavarësisht kësaj, vazhdimisht janë në komunikim me këto shtete dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve. Ato kanë misione diplomatike në Kosovë ku janë në dijeni për çdo zhvillim pozitiv që shënohet në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se qeveria shpreson se BE-ja do të tejkalojë këtë hezitim, përkatësisht këto shtete karshi Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi në Kosovë kanë ndodhur ndryshime.
“Kemi një qeveri të re që gëzon legjitimet të madh popullor dhe politik që ka qëllime të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë. Kjo qeveri brenda 7 muajve tashmë ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, një dokument tejet i rëndësishëm për reformën e sistemit të drejtësisë. Njëjtën kohë ka miratuar koncept-dokumentin për vetingun që është domosdoshmëri për të krijuar një shtet të mirëfilltë”, thotë ai.
Opozita: Qeveria s’e ka prioritet liberalizimin, s’ka viza as këtë vit
Në anën tjetër, Zëvendës-kryetari i Komisionit për Punë të jashtme, si dhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se nuk shpreson që heqja e vizave të ndodh nën qeverisjen aktuale. Kjo pasi sipas tij, nuk është në agjendën e qeverisë, plotësimi i kritereve të kërkuara nga BE-ja për këtë proces.
“Ne kemi 20 vite pothuajse që flasim se në fund të vitit do të ketë liberalizim, Në politikën që është duke ndjekur Qeveria aktuale, unë nuk e di që BE-ja vlerëson se ne kemi realizuar kriteret. Unë nuk besoj se liberalizimi do të ndodh këtë vit, por as vitin e ardhshëm. Sepse ne nuk jemi duke punuar për këtë proces por jemi duke bërë deklarata”, ka thënë ai.
Kësisoj sipas tij Kosova vazhdon të çaloj në disa pika që kërkohen nga BE-ja. “Ne kemi disa detyrime ndaj BE-së, ose disa kushte të cilat besoj se akoma nuk janë plotësuar, dhe meqë ato nuk janë plotësuar nuk po shoh mundësi, apo veprime konkrete nga Qeveria për ti realizuar ato. E para, ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Për këtë duhet pasur organet e drejtësisë të specializuara të cilat punojnë të pavarura dhe janë të besueshme. E dyta, drejtësia duhet të veproj fuqishëm ndaj të gjithëve pa përjashtim. E treta, Qeveria respektivisht, MPJ, presidenca janë më shumë të angazhuar në luftën politike kundër opozitës, sesa për tu përballur me këtë proces”, ka shtuar ai.
Tjetër gjë që ndikon në mos liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas Halitit ka të bëjë me mungesën e zhvillimit ekonomik dhe kërkesat e mëdha të qytetarëve për ta lënë Kosovën.
A do të jetë viti 2022, vit i heqjes së vizave?
Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se viti 2022 mund të jetë viti i heqjes së vizave, kjo pasi që presidencën e Këshillit të BE-së, e merr Franca, e cila është një ndër vendet skeptike.
Profesori universitar, Afrim Hoti, vlerëson se në pjesën e parë të vitit 2022 mund të ketë lëvizje pozitive për Kosovën.
“Nuk besoj se do të ketë diçka të re brenda këtij viti, sepse definitvisht Sllovenia përkundër dëshirës, nuk mendoj se e ka potencialin ta shtyjë këtë çështje, që eventualisht të marrim liberalizimin e vizave. Mbase lajme të mira dhe tone optimiste priten në pjesën e parë të vitit të ardhshme, kur udhëheqjen e këshillit do ta merr Franca. Nisur nga fakti se edhe Franca është vendi që deri tani ka shkaktuar më shumë problem”, ka potencuar ai. Kujtojmë se Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018, por që disa nga shtetet më të mëdha të BE-së siç janë Franca, Holanda dhe Danimarka janë shprehur haptazi kundër një procesi të tillë. / Gazeta Enigma.