Kryeministri shqiptar Edi Rama tha sot në Beograd se në takimin e radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” që do të mbahet në Tiranë në dhjetor, të gjitha marrëveshjet do të kthehen në “rezultate konkrete”. Ai theksoi se Serbia ka bërë një hap përpara në tërheqjen e investimeve të huaja.
Pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov, Rama tha se nisma e “Ballkanit të Hapur” fokusohet te biznesmenët, fermerët, shpërndarësit, punëtorët, studentët dhe akademikët.
“Secili prej tyre ka vuajtur në një farë mënyre në kufi, nga pritja e deri te kontrollet e ndryshme, e të tjera si këto”, tha Rama.
Ai theksoi se thelbi i nismës është se si t’i bëjmë ekonomitë dhe tregjet tona të rriten së bashku, pasi ato mbeten të vogla individualisht, si dhe si “të kemi një fluks më të madh të investimeve të huaja direkte në të gjithë rajonin”.
“Ju mund të shihni se çfarë ka bërë Serbia, të cilën unë e marr si shembull, sepse ka bërë një hap të madh përpara në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, tha Rama.
Si foli edhe për Kosovën, e cila refuzon t’i bashkohet kësaj iniciative. Rama tha se i konsideron “arsye të mosarsyes” argumentet për të mos iu bashkuar kësaj nisme.
“Arsyet pse të tjerët janë skeptikë ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur i kam dëgjuar me shumë vëmendje, dhe të Malit të Zi, Bosnjëes edhe të Kosovës, por më vjen keq pasi i konsideroj si arsye të mosarsyes”, tha Rama. /Gazeta Enigma.