“Trashet” ‘vëllazërimi’ i “Open Balkan”: Kosova injoron takimin, Rama e Vuçiq e kritikojnë

“Trashet” ‘vëllazërimi’ i “Open Balkan”: Kosova injoron takimin, Rama e Vuçiq e kritikojnë

Ka vazhduar të enjten tentativa e radhës për të krijuar një “Mini-shengen” në Ballkan. Takimi midis tri shteteve pjesëmarrëse, Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së veriut, kësaj radhe u mbajt në ‘konakun’ e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili priti krah hapur homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama, shkruan Gazeta “Enigma”

Përpos Ramës, në takimin e ftuar nga Vuçiq mori pjesë edhe zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimirov.

Pas takimit, në mesin e shumë premtimeve për thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke proklamuar mirëqenien e qytetarëve, u përmend edhe Kosova e cila e injoroi këtë takim, siç ka bërë që nga fillimi i nismës.

Rama: Mospjesëmarrja e Kosovës në ‘Open Balkan’, e paarsyeshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë.

Rama ka shtuar se është e sigurt se Ballkani i Hapur sjell vetëm të mira.

“Ta refuzosh këtë proces do të thotë t’i mohosh vetes, vendit tënd, popullit tënd të mirat që sjell procesi”, ka thënë ai në një konferencë pas takimit.

Sipas Ramës, Kosova duhet ta testojë vullnetin e Serbisë duke u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur

Kryeministri shqiptar ka thënë se deklarata e Vuçiqit se Kosova e gjitha shtet janë të mirëpritura në Ballkanin e Hapur, testohet vetëm nëse Kosova i bashkohet nismës.

“Sinqeriteti i të gjitha deklaratave të liderëve apo politikanëve testohet në provën e realitetit. Pra, sot presidenti i Serbisë, më hapur se asnjëherë tjetër, e tha se mirëpret Kosovën, njëjtë si dy vendet tjera në këtë nismë. Do të thotë që kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në këtë nismë”, tha Rama.

Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë

Vuçiq: Marrëdhëniet me Prishtinën i zgjidhim me dialog, Ballkani i Hapur është tjetër gjë

Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën nëpërmjet dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Por Vuçiq ka thënë se iniciativa Ballkani i Hapur është tjetër gjë dhe kushdo që dëshiron të bashkohet është i mirëpritur, duke mos përjashtuar as Kosovën.

“Ne u kemi hapur dyert si Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, por nuk më shkon në mendje që t’i arsyetohem dikujt, qoftë BE-së apo dikujt nga rajoni. A e dini sa punë kemi përpara ne tri shtetet, por a e dini sa benefite do t’i kemi kur të implementojmë këtë marrëveshje”, tha Vuçiq në konferencë në Beograd. “Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”.

ShBA: Ne inkurajojmë liderët rajonalë të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare


Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik.

“Ne inkurajojmë liderët rajonalë të kërkojnë mundësi për të reduktuar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën ekonomike dhe për të ndërtuar ekonomi të integruara rajonale dhe elastike që ofrojnë për qytetarët e tyre”, u tha në përgjigjen e ambasadës.

Poashtu është theksuar se krijimi i një tregu të përbashkët rajonal-një tre që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitalit dhe shërbimeve-është thelbësor për të tërhequr investime dhe për të nxitur investime dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar, i mishëruar nga vizioni dhe përpjekjet e popullit të tij për t’u bërë një rajon i lulëzuar dhe i begatë, i integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” u tha tutje nga Ambasada e Amerikës.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë disa herë e ka bërë të qartë se nuk do të marr pjesë në nismën për “Ballkanin e hapur”.

E një gjë të tillë Kurti e konfirmoi edhe në takimin e fundit që pati me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, ka thënë Kurti. /Gazeta Enigma.

Related Articles