Kosova ka miratuar së fundi vendimin për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç me vaksinën Pfizer, me kërkesë të prindit ose kujdestarit ligjor dhe në prani të tyre, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.
Vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor.
Ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19.
Infektologu, Xhavat Demiri, ka folur për Gazetën ‘Enigma’ lidhur me çështjen e vaksinimit të fëmijëve kundër COVID-19.
“Vendimi ka qenë edhe i OBSH-së, që edhe fëmijët mbi 12 vjeç të vaksinohen”, ka thënë ai.
Njëherit, Demiri ka bërë thirrje për të gjithë fëmijët që vaksinohen ti ndjekin rregullat paraprakisht.
“Një nga rregullat e vaksinimit të kësaj moshe është që fëmijët së pari duhet të vizitohen tek pediatri e më pas edhe të vaksinohen”, ka thënë ai për Enigmën.
Infektologu, Demiri krejt në fund ka thënë se tani për tani vaksinimi është mjeti më i sigurt kundër COVID-19.
Pediatri, Jashar Ramadani në një pëgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë për vaksinimin e fëmijëve duhet ti përmbahemi rekomandimeve të qendrave të mëdha botërore dhe OBSH-së.
“Në parim ne si Kosovë me kapacitetet e zvogluara për hulumtime të efekteve të vakcinës në aspektin e rritjes së imunitetit kundër COVID-19 , eventualisht edhe efektet anësore , jemi të orientuar të përcjellim dhe ti përmbahemi rekomandimeve të qendrave të mëdha botërore dhe OBSH-së”, ka thënë Ramadani.
Njëherit ai ka shtuar se “OBSH rekomandon që edhe fëmijët 12 vjeç gjegjësisht 16 vjeç të vaksinohen kundër COVID-19”.
Sipas Ramadanit kontrolla e fëmijëve tek pediatri para vaksinimit është një siguri më e lart sidomos tani që kemi prezent edhe gripin sezonal.
“Është siguri më e lartë nëse kontrollohen para se të marrin vakcinën posaqërisht kur tani jemi në në kohën (timing ) e gripit sezonal. Sistemi imunitar para vakcinimit duhet të jetë i pangarkuar me semundje tjera . Në këtë mënyrë bënë përgjigje imunologjike më efikase”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka theksuar se “Tani bëhen edhe testet me SARS Cov-2 IgG antitrupa nga i cili test kuptohet nëse dikush ka pasur apo jo COVID-19. I njejti test mbase mund të përdoret edhe për efikasitetin e prodhimit të antitrupave nga vaksina”.
“Sfidë për këtë është kostoja financiare dhe për aktualitetin institucionet nuk e financojnë këtë lloj depistazhi ( screening program)”, ka përfunduar Ramadani.
Çfarë vaksine për COVID-19 është miratuar për fëmijët?
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i ka dhënë autorizimin e përdorimit urgjent të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.
Hulumtimet kanë treguar se vaksina Pfizer-BioNTech COVID-19 është 100% efektive në parandalimin e COVID-19 tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.
Vaksina është 91% efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda me COVID-19 te njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.
Hulumtimet e hershme sugjerojnë gjithashtu se vaksina është 96% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë me COVID-19 të shkaktuar nga varianti delta, varianti më i zakonshëm i COVID-19 në SHBA, por edhe në Kosovë.
Si e përcaktoi FDA sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për përdorim te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç?
FDA rishikoi një studim me më shumë se 2200 fëmijë amerikanë të moshës 12 deri në 15 vjeç. Nga ky grup, rreth gjysmës iu dha vaksina Pfizer-BioNTech COVID-19. Fëmijëve të tjerë iu dha një vaksinë joaktive (placebo).
Cilat janë efektet anësore të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç?
Fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, të cilëve u është dhënë vaksina Pfizer-BioNTech kundër COVID-19, kishte efekte anësore të ngjashme me ato të përjetuara nga njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.
Efektet anësore më të zakonshme të raportuara përfshijnë:
- • Dhimbje në vendin e injektimit
- • Lodhje
- • Dhimbje koke
- • Të dridhura
- • Dhimbje muskulore
- • Ethe
- • Dhimbje në nyje (kyçe)
Ngjashëm me të rriturit, fëmijët kanë efekte anësore që zakonisht zgjasin 1 deri në 3 ditë.
Më shumë adoleshentë i raportuan këto efekte anësore, përveç dhimbjes në vendin e injektimit, pas dozës së dytë të vaksinës. Megjithatë, shumë njerëz nuk kanë fare efekte anësore.
Pasi fëmijës suaj t’i jepet një vaksinë COVID-19, ai ose ajo do të monitorohet për 15 deri në 30 minuta për të parë nëse ai ose ajo ka një reaksion alergjik që kërkon trajtim.
Nuk rekomandohet që t’i jepni fëmijës tuaj një qetësues dhimbjeje pa recetë para vaksinimit për të parandaluar efektet anësore. Është në rregull të jepni këtë lloj mjekimi pasi fëmija juaj të marrë një vaksinë kundër COVID-19.
A mund të ndikojnë vaksinat kundër COVID-19 në zemër?
Në SHBA, ka pasur një rritje të rasteve të raportuara të miokarditit dhe perikarditit pas vaksinimit me mRNA kundër COVID-19, veçanërisht tek adoleshentët meshkuj dhe të rinjtë e moshës 16 vjeç e lart.
Miokarditi është inflamacioni i muskulit të zemrës, ndërsa perikarditi është inflamacioni i mukozës jashtë zemrës. Këto raste janë të rralla.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po heton për të parë nëse ka ndonjë lidhje me vaksinimin kundër COVID-19.
Nga rastet e raportuara, problemi ka ndodhur më shpesh pas dozës së dytë të vaksinës COVID-19 dhe zakonisht brenda disa ditësh pas vaksinimit kundër COVID-19.
Shumica e njerëzve që morën kujdes shëndetësor, sipas raportimeve, u ndjenë shpejt më mirë pasi morën ilaçe dhe pushuan.
Simptomat për t’u analizuar:
- • Dhimbje gjoksi
- • Frymëmarrje e shkurtër
- • Ndjenja e të pasurit të rrahurave më të shpejta të zemrës
- • Nëse ju ose fëmija juaj keni ndonjë nga këto simptoma brenda një jave nga marrja e një vaksine COVID-19, kërkoni kujdes mjekësor.
Mesatarja aktuale 7-ditore e rasteve të reja është 15,42 raste/ditë, që është e njejtë me periudhën e mëparshme 7-ditore.
Vaksinimi është mënyra më e mirë për të ndihmuar në parandalimin e COVID-19, veçanërisht formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes.
Të gjithë duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!
Për aq kohë sa regjistrohen ende raste të reja të COVID-19, ndryshimi nuk do të vijë nëse nuk punojmë të gjithë së bashku për t’u vaksinuar të gjitha grupet e synuara. /Gazeta Enigma/