Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e një të burgosuri në Klinikën e Pulomogjisë në QKUK.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se trupi i tij është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“QKUK, Prishtinë 12.11.2021 – 15:45. Nga QKUK është njoftuar se një mashkull ka ndërruar jetë, i njëjti ishte i burgosur në Burgun e Sigurisë së lartë në Gërdovc dhe ishte duke u trajtuar në Repartin e Pulmologjisë. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se dje rreth orës 11:00, në Klinikën e Pulmologjisë në SHSKUK, ka vdekur një i burgosur me inicialet S.B.
Sipas SHKK’së, 61-vjeçari që nga fillimi është pranuar me diagnozë hipertension arterial, për të cilën është trajtuar dhe ka pas kontrolle të rregullta tek mjeku i qendrës, tek kardiologu dhe vizita të tjera specialistike.
“Pas keqësimit të gjendjes, më 05.11.2021, me rekomandim të mjekut kujdestar është dërguar në SHSKUK dhe është hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë. Përkundër përpjekjeve dhe trajtimit shëndetësor të vazhdueshëm, i burgosuri ka ndërruar jetë.
I njëjti ishte i dënuar me dhjet vite burgim për veprën penale; Krime lufte kundër civilëve dhe po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë. Stafi mjekësor ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikoj shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim. /Gazeta “Enigma”/