Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit, raporton Gazeta Enigma.
Kështu thuhet në aktgjykimin e kësaj gjykate të cilën e ka siguruar Gazeta “Enigma”.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe, pas rezultateve preliminare të votave të diasporës, u përmbys rezultati në Dragash.
PDK-ja ishte ajo që doli e para, por ishin votat me postë të diasporës ato të të cilat përmbysën rezultatin në favor të kandidatit të LDK-së, duke e bërë fitues të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Nga ky rezultat, PDK-ja ka bërë ankesë në PZAP dhe kanë kërkuar që ky rezultat i votave të mos përfshihet në rezultatin përfundimtar. Madje, kryetari i PDK-së pati thënë se në rast të kthimit të përgjigjes negative nga PZAP lidhur me zarfet e dyshimta me postë nga diaspora, atëherë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore deri në fund.
“Ka bazë për hetime nga prokuroria sepse do të ishte e papranueshme që një proces i mirë zgjedhor të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkel legjislacionin në fuqi, pasi çdo qytetar e ka të drejtën e votën të pacenuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”, u shpreh Krasniqi.
Kurse, Florian Dushi, anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kundërshtuar të gjitha ato që u thanë nga Partia Demokratike e Kosovës, për manipulim të votave në komunën e Dragashit.
Dushi theksoi se kjo që krijuan është “zhurmë pa asnjë bazë”.
“Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e PDK-së kishin ndërtuar një tregim, nga këndvështrimi i tyre, dhe për “hesape” të tyre politike dhe elektorale lidhur me procesin e votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, ai sqaroi se meqë janë ndjekur të gjitha procedurat në këtë komunë, LDK mbetet fituese. /Gazeta Enigma/.