Pritet të shkarkohet, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama për shkak të mospajtimeve mes tij dhe Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Në bazë të burimeve nga Albanian Post thuhet se procedurat për shkarkimin e tij kanë nisur para dy muajsh.
Nga burime të mirëinformuara brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, është arritur të mësohet se procedurat për shkarkimin e tij kanë nisur para dy muajsh.
Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe Ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër automjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.
Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.
Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.
Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij.
Kurse, Rrahman Rama ka folur në emisionin Pressing në T7 lidhur me këto raportime. Ai ka thënë se ende nuk ka pranuar asgjë zyrtare nga Qeveria.
“S’kam pranuar asgjë zyrtare nga qeveria”, ka thënë ai.
Albanian Post ndër tjerash mëson se kandidatët kryesorë për të marrë detyrën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas shkarkimit të gjenerallejtënant Rrahman Ramës janë Inspektori Gjeneral i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjeneralmajor Bashkim Jashari dhe gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, i ftuar, pa ndonjë sqarim në çfarë cilësie, si dëshmitar apo i dyshuar, nga Gjykata Speciale në qershor të vitit 2020.
Ndryshe, nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, merret vesh se gjasat më të mëdha për t’u konfirmuar si komandant i FSK-së i ka gjeneralmajor Hazrolli, meqë gjeneralmajor Jashari mund të mos e marrë aprovimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as të presidentes Vjosa Osmani.