“Tash sa e morra vesh edhe unë”, thotë Isuf Ibërdemaj, Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, për Albanian Post, i sapo shkarkuar nga Ministria e Drejtësisë.
Aktualisht ai u shpreh se gjendet në Gjermani për shkak se babanë e ka në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nuk ishte në rrjedha për vendimin e shkarkimit të tij.
“Tash e mora vesh këtë punë, por tash jam në Gjermani. E kanë shfrytëzuar rastin që unë nuk jam aty”, ka vazhduar më tej Ibërdemaj.
“Unë edhe një javë jam në Gjermani, e kur të kthehem bisedojmë, bëhet fjalë për një shkelje, sipas tyre, për një leje lirimi që e kemi dhënë për një të burgosur. Por ai vendim ka qenë më urdhër të prokurorit, e për këtë ka qenë e njoftuar edhe vet ministrja”, thotë Ibërdemaj.
“Ata pretendojnë se kam bërë unë shkelje sepse vendimi i prokurorit a qenë verbal e jo me shkrim”, shpjegon Ibërdemaj.
“Për këtë kanë qenë të njoftuar të gjithë, prandaj dhe ndihem rehat, shumë rehat”.
Ai vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për ta shkarkuar nga detyra, e quan tendencioz.
“Për me thonë politik ja rritë nishanin kësaj punë, ma shumë është delitantesk, është për keqardhje”.
“Ua kam bërë me dije që kjo është punë e prokurorisë, por ata e kanë gjykuar kështu dhe le ta vazhdojnë”.
Për 10 ditë në vazhdim Ibërdemaj do të qëndrojë në Gjermani, për të përcjellë gjendjen shëndetësore të prindit të tij, por thotë se këtë punë nuk do ta lë me kaq.
“Do të koordinohem edhe me prokurorin e rastit, por do të flas edhe me ministren, ajo nuk wshtw në rrjedhja me gjasë për këtë punë. Bëhet fjalë për z.v ministrin, Blerim Sllahu, sepse ai edhe e ka nënshkruar vendimin për shkarkim”.
“Kur të kthehem do i sqaroj të gjitha, por unë jam shumë i qetë për këtë punë”.
“E kam marrë me shumë sportivitet, për atë edhe nuk jam befasuar hiç, s’kanë gjet asnjë shkelje edhe pse është formuar një komision disiplinor”, ka përfunduar Ibërdemaj për Albanian Post, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Në vendimin për shkarkim të cilin e posedon Albanian Post thuhet se MD ka pranuar raportin e inspektimit nga Inspektorati i MD-së ku konstatohet se Iberdemaj ka lejuar daljen dhe përcjelljen e të burgosurit me inicialet B.M nga qendra e paraburgimit.
Sipas këtij vendimi, Ibërdemaj këtë e ka bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore./Gazeta “Enigma“/