A do të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë?

A do të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë?

Nuk ka një datë të caktuar sa i përket takimit të nivelit të lartë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka potencuar se në rast se do të konfirmohet një takim i tillë i nivelit të lartë në bisedimet Kosovë-Serbi, ata do të njoftojnë këtë kur do të jetë e nevojshme.

“Nuk spekulojmë për skenarë të ndryshëm, por nëse kemi një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç për ta bërë të ditur, do ta bëjmë atë kur të jetë e nevojshme”, ka thënë Stano për Telegrafi.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së diel në një konferencë për media ka potencuar, se pritet që në javën e dytë të dhjetorit, të ndodh një takim në mes të tij dhe presidentit të Serbisë, Vuçiç në Bruksel.

“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë. Nuk kam kurrfarë informacioni që ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo i përket ndërmjetësuesit, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të tij Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse na dërgojnë ftesat ose jo dhe jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër“, ka thënë Kurti.

Deri më tani në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeqeveritari Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por pa ndonjë rezultat konkret. /Gazeta Enigma/.

Related Articles