Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, në një intervistë për Albanian Post ka thënë se dyshon që Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, mund të arrijë një zgjidhje finale mes dy vendeve deri në fund të mandatit.
Për këtë, ai ka kërkuar që në këtë proces të përfshihet Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ajo që kam përmendur më parë në lidhje me përpjekjet që duhet të bëhen nuk është e vërtetë vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe për Miroslav Lajçak”, tha Mandl për Albanian Post.
Sipas tij, “nëse Lajçak nuk mund t’i paraqesë një rezultat Parlamentit Evropian, shteteve anëtare dhe Komisionit së shpejti, dyshoj se do të arrijë diçka deri në fund të mandatit”.
“Si më parë, rekomandoj më shumë përfshirje të vetë Presidentes së Komisionit, pasi Ballkani Perëndimor është një pjesë thelbësore e Evropës dhe vendimtare për të ardhmen e BE-së në tërësi”.
Kur flet për ujdinë finale mes Kosovës dhe Serbisë, ai thekson se në sistemet e pjekura politike kërkohet gjithmonë kompromise, “ndonjëherë edhe konsensus”.
“Por, ajo që unë do të kërkoja është angazhim i plotë kur bëhet fjalë për stabilitetin, reformat dhe marrëdhëniet”, ka shtuar Mandl për Albanian Post.
“Për shembull, dialogu Kosovë-Serbi është i një rëndësie të madhe, jo vetëm për dy vendet, por për të gjithë rajonin dhe në fakt për Evropën në tërësi. Kosova e vetme nuk do të mund t’i paraqitet botës me rezultat, as Serbia e as BE-ja, por duhet bërë sa më shumë përpjekje”.
Ndërkaq kur pyetet për themelin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Mandl konsideron që Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë.
“Kjo varet nga negociatat dhe marrëveshjet duhet të zbatohen. Ne po jetojmë në shekullin e 21-të. Nuk ka dyshim për shtetësinë e Kosovës, apo për natyrën evropiane të shoqërisë së saj multietnike”.
Mandl ka folur edhe për iniciativën Ballkani i Hapur, duke thënë se e mbështet bashkëpunimin rajonal, por mendon se nisma të tilla të duhet të jenë gjithëpërfshirëse
“Udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor miratuan Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 në Samitin e Sofjes në nëntor 2020. Ky plan veprimi duhet të zbatohet”, ka potencuar austriaku.
Mandl, e ka ripërsëritur edhe njëherë se Austria e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, por pengesë sipas tij, janë disa shtete evropiane të cilat janë ende skeptike.
“Një pakicë e vogël e qeverive të shteteve anëtare po bllokon vendimin i cili është padyshim i vonuar. Po punojë për liberalizimin e vizave pothuajse çdo ditë. Populli i Kosovës e meriton”.
“Austria po e mbështet atë. Programi zyrtar i Qeverisë së Austrisë e përmend në mënyrë eksplicite liberalizimin e vizave si synim. Gjithashtu, anëtarët e sapoemëruar të Qeverisë në Austri do të vazhdojnë të mbrojnë pozicionin tonë austriak”.
Ai ka shtuar se e vlerëson punën e deritashme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke potencuar se “secila Qeveri e Kosovës duhet të vlerësohet nga çështja e stabilitetit”.
Ndërsa për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, eurodeputeti austriak ka nënvizuar se ajo duket të jetë një faktor kryesor për stabilitetin.
“Ajo po bën shumë për të mbajtur shpresën, besimin dhe optimizmin që është një parakusht i rëndësishëm për një të ardhme të ndritur”.
“Gjuha e saj është shpesh shumë e ashpër, gjë që në shumicën e rasteve është e dobishme për një kuptim të duhur të situatës së Kosovës në shkallë globale. Përshtypja ime është se Vjosa Osmani është shumë e respektuar në të gjithë vendin”.
“Si në të kaluarën edhe në të ardhmen, sigurisht që do të respektoja çdo kryetar të shtetit të Kosovës të legjitimuar në mënyrë demokratike”.
Mandl që ka qenë edhe monitorues në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, ka thënë se vitin e ardhshëm do t’i prezantojë rezultatet përfundimtare të monitorimit.