Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin, Gabriel Escobar, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë të angazhuara më aktivisht në çështjet e dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas tij Amerika do të inkurajojë këto dy vende që të bien dakord për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura dhe të bëjnë përparim më dinamik në zgjidhjen e disa çështjeve të pazgjidhura, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe çështje të tjera kyçe.
Escobar ka deklaruar se Washingtoni beson se Kosova dhe Beogradi duhet të bien dakord brenda strukturës së dialogut të udhëhequr nga BE, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e gjithçkaje për të cilën bien dakord.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshihen më shumë në dialog, tha se Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialog, se duhet të mbetet i tillë dhe se Washingtoni e mbështet plotësisht.
Tutje, ai tha se sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por se ato kanë efekt dhe se do të ketë më shumë në të ardhmen.
Escobar vlerësoi se korrupsioni vazhdon të mbetet problemi kryesor në Ballkan. /Gazeta Enigma/.