Pak ditë kanë mbetur prej kur përfundon afati i Qeverisë së Kosovës për të adresuar komentet e saja në lidhje me kërkesën për tërheqje të 30% të mjeteve të Trustit, shkruan Gazeta “Enigma”. Në të kundërtën nëse këto komente nuk adresohen, projektligji i propozuar nga PDK kalon me automatizëm për votim në Kuvendin e Kosovës.
Ndonëse qytetarët janë në pritje për këtë proces, iniciatori i kësaj nisme, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka dhënë ‘fjalë të mëdha’ sa i përket mbështetjes që po i bëhet këtij projektligji.
Ai për Gazetën “Enigma”, thotë se përpos votave të opozitës, tashmë janë siguruar edhe 12 vota të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse ai nuk ka dhënë emra se cilët janë ata.
“Kërkesa është e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të cilën e kam procesu në formë të projektligjit, gjë që do të mundësonte tërheqjen 30% të mjeteve nga Trusti. Ashtu si qytetarët, këtë kërkesë e kanë edhe deputetët e tjerë sepse të gjithë jemi përfaqësues të qytetarëve. Aktualisht është në procedurë projektligji është për dërguar për komente në Qeveri”, ka thënë ai.
Sipas tij ky projektligj do të marr dritën e gjelbër nga shumica e deputetëve të Kuvendit.
“Qeveria ka obligim të jap një përgjigje dhe në afat prej 30 ditë, nëse nuk jep mendim atëherë ai hyn në procedurë të rregullt parlamentare për votim në Kuvend. Unë besoj shumë që jo vetëm disa por shumica e deputetëve do ta votojnë këtë projektligj sepse është kërkesë e qytetarëve, është propozim i tyre. Projektligjin e kam dorëzuar në Kuvend me datën 9 mars, pastaj ka kaluar në Kryesi, dhe ata e kanë proceduar tutje”, ka shtuar Haxhiu.
A është VV kundër realisht? Deputetet të saj dalin pro tërheqjes së 30%-shit
Ndonëse publikisht disa herë radhazi, përfaqësuesit e subjektit më të madh në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë kundërshtuar tërheqjen e kursimeve pensionale, ka deputet brenda këtij blloku që e përkrahin këtë nisëm.
Për këtë nismë është interesuar një deputet i kësaj partie, Driton Hyseni. Ai ia ka drejtuar një pyetje ministrit të Financave, Hekuran Muratit, se si mund të ndihmohen qytetarët që po përballen me krizën ekonomike.
Në pyetjen e protokolluar më 1 mars, Hyseni ka shkruar se tërheqja e fitimeve të vitit 2021 do të ruante kontributet e qytetarëve.
“Duke ruajtur vlerat e investuara, pra kontributet nga qytetarët në Trustin e kursimeve pensionale, do doja të kërkoj që brenda mundësive qytetarëve t’u lejohet tërheqja e fitimit që Trusti Pensional ka gjeneruar për vitin 2021”, thuhet në kërkesën e deputetit.
Sipas tij, shuma totale e fitimit që për vitin 2021 është 227 milionë euro, nëse futet në qarkullim do të lehtësonte rrethanat në të cilat po kalon vendi.
“Ministër, a është e mundur që qytetarët proporcionalisht të tërheqin mjetet e fitimit të vitit 2021 nga Trusti i kursimeve pensionale?”, ishte pyetja e deputetit.
Gërxhaliu: Tërheqja e Trustit vetëm nën garancën se Qeveria do t’i rimbursoj
E përkundër kërkesave enorme për tërheqjen e mjeteve pensionale, ekonomisti, Safet Gërxhaliu për Gazetën “Enigma”, ka dhënë një anë tjetër të medaljes.
Ai thotë se Qeveria duhet të gjejë alternativa të tjera për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset, dhe se sipas tij tërheqja e Trustit do duhej të jetë opsioni i fundit.
“Situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është mjaft e tendosur në këtë drejtim mendoj që Qeveria duhet të gjejë modalitete për të mbështetur qytetarët dhe bizneset dhe alternativë e fundit duhet të jetë Trusti pensional, e argumentoj këtë me faktin që po krijohen një precedent që për çdo sfidë ekonomike të adresohemi tek Trusti pensional dhe në anën tjetër jemi në një kohë të inflacionit ku vërtetë çmimet janë enorme dhe kuptohet që një para e tillë e tërhequr nga Trusti do të shkoj në konsum dhe do ta forcoj varfërinë dhe jo zhvillimin, dhe qytetarët e Kosovës e meritojnë një pleqëri të mirë e jo të varfër”, tha ai.
Tutje ai shtoi se “Vet fakti që në Kosovë nuk ka as ligj për sigurime shëndetësore, kursimet në Trustin pensional janë e vetmja alternativë, andaj duhet të kemi kujdes dhe vërtetë është koha kur duhet të mendohet fare mirë, sepse nëse tërhiqen atëherë duhet të ketë garanci se Qeveria do t’i rimbursoj ato, siç ka ndodhur me pakon prej 10%”.
Ndërkohë dy partitë opozitare, PDK dhe AAK tashmë janë deklaruar publikisht pro votimit të këtij projektligji që do t’i lejonte qytetarëve tërheqjen e mjeteve të Trustit deri në 30%.
Kush do të përfitonte nga tërheqja e Trustit?
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi. / Gazeta Enigma.