Me të hyrë në muajin dhjetor qytetarë nga disa rajone të Kosovës janë përballur me një situatë të rëndë pas ndërprerjeve të gjata të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Këto ndërprerje kanë krijuar kaos në jetën e përditshme, duke ndikuar jo vetëm në familjet, por edhe në sektorin ekonomik dhe shërbimet publike.
Por përkundër kësaj zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, thotë se aktualisht furnizimi me ujë të pijshëm është stabil.
“Aktualisht furnizimi me uë të pijshëm është stabil. Nivelet e ujit në liqene akumuluese sipërfaqësore Batllava dhe Badoci janë të kënaqshme”, tha Mjeku.
Nuk ka reduktime këtë dimër
Mjeku ka theksuar tutje se reduktime mund të ketë vetëm kur ka punime në rrjet.
“Reduktime të ujit nuk do të ketë këtë dimër, përveq kur ka punime të planifikuara apo të paplanifikuara teknike që me doemos duhet ndërhyrë në rrjet per riparimin e defekteve apo instalim të infrastrukturës së re”, tha Mjeku për Gazetën “Enigma”.
Tutje Mjeku ka shtuar se “KRU” Prishtina” kohët e fundit është ballafaquar me disa sfida siç ishte sasia e lartë e manganit në liqenin e Badocit që tashmë është mirë. Ajo përmendi edhe pasojat që solli sulmi terrorist që ndodhi në kanalin e Ibrit, por që u menaxhuan.
Mjeku ka theksuar se qytetarët duhet t’i përmbyllin obligimet financiare ndaj kësaj kompanie.
“Jemi në përmbyllje të vitit 2024, me sukses e sfida të mëdha që e përcollën vazhdimisht. Sukseset e kompanisë janë vazhdimisht në arritje të pikës më të lartë ndonjëherë”, ka delaruar ajo.
“Kërkojmë nga secili prej jush që në afat 2 javor të përmbyllni obligimet tuaja financiare për shërbime të ujësjellësit, me ç’rast çdo pagesë që ju e realizoni rikthehet në investime për një infrastrukturë ujore më funksionale”.
Ananorava ka mjaftueshëm ujë
Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me Granit Sylejmani, Menaxher i Divisionit për Shërbime me Konsumatorë në KRU “Hidromorava”.
Sylejmani ka theksuar se sasia e ujit është e kënaqëshme, sidomos në këtë periudhë.
“Sasia e ujit këtë vit, veçanërisht në këtë periudhë, është e kënaqshme. Si kompani, menaxhojmë akumulimin e ujit në Perlepnice dhe burime të tjera nëntoksore, të cilat janë afërsisht 40 sosh. Niveli i akumulimit është mbi 23 m3, ndërsa niveli maksimal deri në kaperdhës është 30.30m. Pra, për këtë periudhë të vitit, niveli i ujit është shumë i kënaqshëm. Përveç Fabrikës për Përpunimin e Ujit (FPU) në Perlepnice, e cila furnizon rreth 60% të zonës së shërbimit në Gjilan, kemi edhe FPU në Velekinc, ku nuk kemi probleme me burimet e ujit. Po ashtu, në Viti kemi FPU në Letnicë, dhe edhe aty gjendja është stabile. Në burimet vetanake, gjatë periudhës së vjeshtës, kemi pasur disa probleme me burimet e ujit në disa puse në Kamenicë, por tani gjendja është stabile”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se aktualisht nuk parashihen reduktime.
“Jo, momentalisht nuk kemi nevojë të planifikojmë reduktime, pasi gjendja është stabile dhe furnizimi është i rregullt në 24 orë. Mund të ketë ndonjë ndërprerje për shkak të punimeve që mund të realizohen, apo ndonjë defekti, por reduktime të planifikuara nuk do të ketë”, tha Sylejmani për “Enigmën”.
Por sipas tij problemet me të cilat aktualisht përballet KRU “Hidromorava” janë humbjet teknike ndodhin për shkak të vjetërsisë së rrjetit, rrjedhjeve, etj., ndërsa humbjet komerciale ndodhin kryesisht për shkak të lidhjeve të paautorizuara.
“Si çdo kompani tjetër, edhe KRU “Hidromorava” përballet me sfida dhe probleme. Gjatë viteve, problemi kryesor ka qenë humbja e ujit, inkasimi, realizimi i projekteve, si dhe problematika e thatësirës në periudha të ndryshme. Megjithatë, me ardhjen e Bordit të Ri dhe Menaxhmentit të Ri, janë hartuar strategji dhe plane veprimi për përmirësimin e performancës. Po ashtu, është miratuar Plani i Biznesit, ku mbi bazën e tij do të realizohen investime kapitale”.
Tutje Sylejmani ka theksuar se “humbjet e ujit, apo Uji i Pafaturuar (UPF), është ujë që kompania e trajton dhe e shpërndan në rrjet, por nuk merr të ardhura prej tij. UPF-ja ndahet në humbje teknike (fizike) dhe humbje komerciale”.
“Humbjet komerciale ndodhin kryesisht për shkak të lidhjeve të paautorizuara tha Sylejmani.
“Humbjet teknike ndodhin për shkak të vjetërsisë së rrjetit, rrjedhjeve, etj., ndërsa humbjet komerciale ndodhin kryesisht për shkak të lidhjeve të paautorizuara. Kompania është duke bërë të pamundurën për t’i zvogëluar këto humbje, përmes inspektimeve, dhe çdo individ që haset duke vjedhur shërbime do të ndalohet dhe do të iniciohet rast në gjykatën kompetente”, ka deklaruar ai.
“Kompania gjithashtu fton konsumatorët që të bëjnë pagesat e faturave për shërbimin e ujit dhe kanalizimit, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më cilësore. Vetëm duke paguar faturat dhe duke kursyer ujë, mund të furnizojmë rregullisht konsumatorët dhe do të kthejmë pagesat e tyre në forma investimesh kapitale, duke ndërruar gypa, zgjeruar zonën e shërbimit, etj”, ka theksuar Sylejmani.
Ulja e temperaturave, nuk pritet ta ç`rregulloj furnizimin me rrymë
Shpërndarësi kryesor i energjisë elektrike në Kosovë kanë deklaruar janë të përgatitur që të ofrojnë furnizim stabil me energji, që të mos ketë fare reduktime gjatë dimrit.
Zëdhënësja e KESCO-së, Margarita Rashiti, në një deklaratë për media ka deklaruar se “në radhë te parë varet se sa do të mund të prodhojë prodhuesi vendor energji elektrike, pastaj sa është kërkesa për konsum dhe çmimi energjisë në bursa ndërkombetare. Por padyshim që si shpërndarës i energjisë Rashiti shtoi se janë të përgatitur për të ofruar furnizim stabil me energji anë e kënd Kosovës”.
Mbetet për t’u parë se si autoritetet do të trajtojnë këtë situatë dhe çfarë masash do të ndërmerren për të shmangur përsëritjen e saj në të ardhmen. /Gazeta Enigma/