Tash e 10 vite Kosova ka hyrë në dialog me Bashkimin Evropian e që nga viti 2018 është dhënë “drita e gjelbër” se vendi i ynë plotëson kushtet për liberalizim të vizave, shkruan Gazeta Enigma.
Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kosovës do t’i liberalizohen vizat më 23 qershor, ngjalli shpresë se ky premtim ende nuk është “avulluar”.
LEXO EDHE: Vuçiq zbulon datën e liberalizimit të vizave për Kosovën
Analisti për çështje politike, Gazmir Raci tha se “nuk i takon Serbisë me na tregu se cfarë date neve na heqen ose jo, sepse ne edhe si shtet por edhe si shoqëri jemi evropian dhe nuk bëjmë kompromise strategjike për orientimin euroatlantik që e kemi si komb”.
Optimist se qytetarët e Kosovës do të dalin nga “grilat”, shprehet edhe Raci i cili thotë se mbetet të shihet në shtetet kryesore anëtarë në BE që të përcaktohen.
“Unë besoj që do të na heqen vizat, por tash mbetet në shtetet kryesore anëtare në BE që teë përcaktohen. Kosova edhe në rastin e luftës në Ukrainë u rreshtua drejt sipas politikës së jashtme të BE-së. Ne jemi evropian por edhe sillemi si ata, andaj neve na takon e drejta e lirisë së levizjes në zonën Shengen”, tha Raci për Gazetën Enigma.
Mes tjerash, Raci tha se është koha e fundit që Bashkimi Evropian duhet të reflektojë pozitivisht në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai thekson se Kosova i ka plotësuar kriteret teknike dhe profesionale, mirëpo sipas tij po mungon vullneti politik.
“Nuk ka ndonjë lëvizje konkrete për liberalizim të vizave”
Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha tha për Gazetën Enigma se nuk ka ndonjë lëvizje konkrete dhe nuk ka asnjë ide nga qeveria aktuale.
“Nuk ka ndonjë lëvizje konkrete dhe nuk ka asnjë ide nga qeveria aktuale, e cila siç duket pret që të gjitha çështjet të zgjidhen vetvetiu apo t’ua zgjidhë dikush tjetër”, tha ai.
Berisha thekson se procesi i liberalizimit të vizave ka mbetur në vend pa marrë parasysh premtimeve të qeverisë Kurti.
“Procesi i liberalizimit të vizave ka mbetur në vend pa marrë parasysh premtimet e qeverisë Kurti se me ardhjen e tyre në pushtet do të zgjidhen të gjitha temat”, shtoi Berisha.
Kush është fajtor për mosliberalizim të vizave?
Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës, derisa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon fajin për këtë ia hedh Francës dhe Holandës.
LEXO EDHE: Von Cramon për Gazetën Enigma: Franca vazhdon t’i lë në ‘grila’ qytetarët e Kosovës
“Liberalizimi i vizave është ende i bllokuar nga një pakicë e vogël në Këshill – vetëm Franca dhe Holanda. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe shumë problematike për besueshmërinë dhe pozitën e BE-së në rajon”, ka thënë Von Cramon për Gazetën Enigma.
Mes tjerash, Von Cramon bëri të ditur se po punohet në këtë drejtim për të lëvizur gjërat në Paris dhe Amsterdam, duke u shprehur njëkohësisht optimiste që përfundimi i procesit zgjedhor frances do t’i lejojë të lëvizin shpejt në lidhje me këtë çështje.
“Ne po punojmë shumë për të lëvizur gjërat në Paris dhe Amsterdam dhe shpresojmë që përfundimi i procesit zgjedhor francez do të na lejojë të lëvizim shpejt në këtë çështje. Jam e vetëdijshëme se është një çështje polarizuese në Francë, por presim që lidershipi i presidentit Macron të mbizotërojë dhe t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave të vonuara prej kohësh”, ka shtuar ajo.
Von Cramon tha se Kosova fatëkeqësisht mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa kaluar nëpër procedurën e komplikuar dhe të kushtueshme të marrjes së vizës.
Sipas saj, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim të vizave, duke konfirmuar se këto kërkesa ishin më të rrepta se për shumicën e shteteve të tjera.
Si përfundim, Von Cramon tha se “Parlamenti Evropian ndan këtë pikëpamje dhe ka kërkuar vazhdimisht liberalizimin e vizave në disa rezoluta”.
Ndryshe, shumë përfaqësues të skenës politike janë shprehur të interesuar që ky process të ndodhë sa më shpejt, mirëpo sipas Von Cramon qëndrimi skeptik i Francës po e ngadalëson këtë proces. /Gazeta Enigma/