A do të lirohen ish krerët e UÇK-së, çka qëndron prapa kërkesës së Speciales?

A do të lirohen ish krerët e UÇK-së, çka qëndron prapa kërkesës së Speciales?

Si indikacion pozitiv se mund të lirohen për t’u mbrojtur në liri ish krerët e UÇK-së nga Haga, po shihet kërkesa e fundit e Gjykatës Speciale, drejtuar Policisë së Kosovës. Ndërkohë nga Policia janë shprehur të gatshme t’i përgjigjen çfardo kërkese që vjen nga Specialja, shkruan Gazeta “Enigma”.

Të hënën, Specialja kërkoi nga Policia e Kosovës përgjigje në detaje lidhur me mundësinë se nëse ata mund të sigurojnë mbrojtje në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

E kjo sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),  është indikacion se vendimi i masës së paraburgimit mund të ndryshoj.

“Kërkesa e gjykatës drejtuar policisë është një indikacion se vendimi lidhur me.ndryshimin e masës së paraburgimit në një masë më të lehtë mund të jetë pozitiv. Sidoqoftë, ky është vetëm një indikacion dhe varet po ashtu edhe nga garancitë tjera që ka ofruar mbrojtja me.rastin e parashtrimit të kërkesës për ndryshimin e kësaj mase”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.

Kurse, njohësi i çështjeve të Sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se Policia e Kosovës ka kapacitet për ta përmbushur kërkesën e Speciales.

“Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet teknike dhe humane për të përmbushur çfarëdo kërkese e cila mund të vijë nga Dhomat e Specializuara, sa i përket të akuzuarave për t’i paraqitur ata para kësaj gjykate, në çfarëdo kohe dhe itinerari të caktuar’, ka thënë Shala.

Policia e gatshme t’i zbatoj vendimet e Speciales

Ndërkaq, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të zbatojë urdhrat nga Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë, nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Kështu thuhet në një përgjigje të PK-së kur pyeten nëse janë të gatshëm të bashkpunojnë me Specialen.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet ligjore sipas mandatit të saj dhe ka të gjitha kapacitetet të përmbushë të gjitha detyrat dhe përgjegjësite, sipas kërkesës nga zyra e prokurorit, gjykata apo dhomat e specializuara”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia thekson se “është në gjendje të zbatojë në të gjitha aspektet në praktikë urdhrat ose kërkesat nga dhomat e specializuara të Kosovës, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Policia e Kosovës”.

Çka po kërkon saktësisht Specialja?

Gjyqtarit i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, në shkresën e tij thekson se “duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit”.

Tutje aty thuhet “Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose tjetër që pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do të ngrihet menjëherë te Gjyqtari i Procedurës Paraprake”.

Gazeta “Enigma”, ka tentuar të marr përgjigje nga Specialja se çka saktësisht nënkupton kjo kërkesë dhe cilat ishin arsyjet që e shtynë marrjen e këtij vendimi, porse këta të fundit nuk janë përgjigur.  

Kujtojmë se aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Aktakuza ndaj tyre pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh , serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë./Gazeta Enigma.

Related Articles