Diskutime të shumta prodhoi në vend, deklarimi i kryeparlamentarit, Glauk Konjufca se ai personalisht përkrah idenë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen më 17 tetor, shkruan Gazeta “Enigma”
“Nuk varet prej meje, por nëse unë do ta thoja mendimin tim personal, unë mendoj se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca të hënën.
Ndërkaq, të pyetur nëse data e zgjedhjeve mund të ndryshoj, nga zyra e presidentes, Vjosa Osmani, për Gazetën “Enigma”, kanë deklaruar se për shtyerjen e zgjedhjeve vendos KQZ-ja, e jo presidentja.
“Presidentja nuk vendos për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore. Kjo është përgjegjësi e Komisionit Qendror Zgjedhor”, kështu ka thënë këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.
Për këtë çështje tashmë është deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai theksoi se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe ta prekë demokracinë.
Kreu i LDK-së, po ashtu ka thënë se pushteti i LVV-së po flirton me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve.
Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se numrat nga terreni po e tmerrojnë partinë që po qeveris me vendin.
“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”. ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Abdixhiku tha se KQZ-ja është gati për t’i organizuar zgjedhjet në mënyrë shembullore, derisa kujtoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit ishin mbajtur pa asnjë vaksinë.
Zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen më 17 tetor, teksa tashmë disa parti kanë propozuar që të shkurtohet koha e fushatës zgjedhore./Gazeta “Enigma”.