Teksa kryeministri i vendit, Albin Kurti, përkujtoi ish paramilitarin serb, Oliver Ivanoviq, si një njeri që punoi për një Kosovë “shumë etnike”, kryeministri sot foli për një Kosovë shqiptare, me përqindje të madhe të shqiptareve në të. Kjo e fundit si formë e tij për të kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Por, për hiq më pak se dhjetë ditë, kreu i vendit Albin Kurti, ra në kontradikte me vetveten. 16 janarin e këtij viti ai thuri elozhe, për ish-deputetin serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, i cili u dënua me 9 vite burgim për vrasjen e shqiptarëve, mes tyre një fëmijë 13 vjeç.
Kurse, sot Kurti, u hodhi fajin vendimeve të para 15 viteve për shpalljen e Kosovës si një shtet “multietnik”. Ai deklaroi se një Asociacion i cili po kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare “nuk e duron kushtetutshmëria e Kosovës”.
“Para 15 viteve thoshin që Kosova nuk bënë të shpallet shqiptare, por duhet të shpallet, institucionalizohet edhe në të njëjtën kohë të pavarësohet si multietnike. Ndonëse 93% janë shqiptarë, edhe atëherë edhe tash, e rreth 4% janë serbë, kjo është para 15 viteve. Pasi që Kosova u shpall multietnike tash po insistohet në një asociacion një etnik. Nuk e duron kushtetutshmëria e Kosovës asociacionin një etnik”, deklaroi sot Kurti.
Sipas Kurtit nuk është Kosova ajo që duhet të ndryshojë Kushtetutën për formimin e Asociacionit. Teksa kundërshton këtë nismë, ai thotë se Serbia duhet ta ndryshoj kushtetutën.
“Të gjithë serbët e Kosovës duhet të jenë dhe do të jenë të mbrojtur, t’i kenë shanset për zhvillim dhe për mirëqenie, t’i kenë të drejtat e garantuara me ligj dhe me kushtetutë. Mirëpo asociacionet e komunave që janë njësi territoriale, jo vetëm administrative, nuk duron kjo kushtetutë. Ata që kërkojnë Asociacion një etnik, ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës. E unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetua e Serbisë”, shtoi tutje ai.