Pas numërimit të shumicës së votave me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje vlerësohet se ka shënuar rritje të dukshme në nivel lokal, duke u konfirmuar si një ndër forcat kryesore në garën për kryetarë komunash, shkruan Gazeta Enigma.
Edhe pse në votat për asamble komunale Vetëvendosje renditet e treta me 167 mijë vota, pas PDK-së që ka mbi 186 mijë vota dhe LDK-së me mbi 182 mijë sosh, rezultatet për kryetarë komunash tregojnë se forca elektorale e LVV-së është zhvendosur edhe drejt pushtetit lokal, duke reflektuar një stabilizim të qëndrueshëm të Vetëvendosjes si parti qeverisëse në të gjitha nivelet.
Vetëvendosje ka siguruar fitore pa balotazh në tri komuna: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
Krahas kësaj, LVV hyn si parti e para në Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë, ndërsa si e dyta në Gjakovë, Kaçanik, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti dhe Vushtrri.
Nëse arrin të fitojë një pjesë të konsiderueshme të këtyre komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor, vlerësohet se Vetëvendosje mund të arrijë një rezultat historik prej deri në 15 komunash të udhëhequra.
Në raundin e dytë, përballja më e madhe politike do të zhvillohet pikërisht mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, me gara të forta në Gjilan, Fushë-Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë dhe Viti.
Forcim edhe përmes koalicioneve
Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë bërë bashkë në Vushtrri për garën e balotazhit në këtë komunë, ku i pret kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi.
Në këtë garë, Idrizi ndiqet nga kandidati i LVV-së, Sylejman Meholli, i cili në raundin e parë ka arritur 9,342 vota, apo 30.80%. Xhafer Tahiri i cili iu bashkua në garë, doli i treti me 6,030 vota apo 19.88%. Koalicioni i tyre i jep gjasa real të mposhtin Idrizin i cili grumbulloi 13,712 vota apo 45.21%.
Por ky koalicion i nënshkruar të hënën është kundërshtuar nga LDK-ja në qendër, që edhe ka paralajmëruar masa konform statutit, por pas përfundimit të raundit të dytë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës poashtu arritën marrëveshje koalicioni në garën e balotazhit për komunën e Fushë Kosovës.
Kandidatja Vildane Latifi, u rreshtua përkrah Valon Prebrezës së VV-së.
Prebreza i cili doli i pari në garën për Fushë Kosovën, më 9 nëntor ballafaqohet me Besnik Osmanin e LDK-së.
Në raundin e parë, Prebreza arriti besimin e 9,688 qytetarëve të kësaj komune, i ndjekur nga pas me 7,847 votat e Osmanit.
Latifi e AAK-së, arriti vetëm 254 vota, vota të cilat do t’i jepnin shtytje VV-së në Fushë-Kosovë, për një fitore në raundin e dytë.
Prebreza po synon të arrijë marrëveshje edhe me PDK-në, pas koalicionit me AAK-në ditë më parë.
Ai ka bërë të ditur se këto ditë do të zhvillojë takim me kandidatin e PDK-së për të parin e kësaj komune, Rrahim Tërnava.
“Unë i kam ftuar të gjithë kandidatët që kanë garuar për një takim. Me kandidaten e AAK-së veçse jemi dakorduar për të vazhduar së bashku, pres edhe bashkëpunim nga ana e kandidatëve të tjerë, gara është hapur dhe është përcaktuar dhe opozita ka marrë shumicën e votave. Me kandidatin e PDK-së kemi pasur komunikim, por në ditët në vazhdim pres një komunikim tamam zyrtar, sot ose nesër pres me u taku me kandidatin e PDK-së”, ka thënë Prebreza.
“Është rritur, por nuk është fuqizuar”
Analisti i çështjeve politike, Jeton Halimi, tha për Gazetën “Enigma” se faktori që e ka rritur LVV-në në nivelin lokal është “propaganda e zhvilluar nga kryeministri në detyrë”.
“Faktorët që ndikuan më së shumti janë propaganda e kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti, në raport me popullatën dhe ndikimi drejtpërdrejt në popullatën e gjerë gjithandej Kosovës. Kjo ishte arma kryesore e LVV-së sa i përket informimit para fushatës dhe në fushatën e bërë në çdo komunë në të gjithë territorin e vendit tonë”, tha ai.
Tutje, Halimi tha se LVV nuk është fuqizuar, dhe beson se ky subjekt politik do i humbas edhe komunat ku ka shkuar në balotazh.
“Besoj shumë se LVV-ja nuk është fuqizuar, por është partia e tretë në vendin tonë si humbësja më e madhe gjatë këtyre zgjedhjeve komunale në nivelin lokal të 12 tetorit 2025. LVV-ja, faktin që ka fituar tri komuna pa balotazh dhe 12 komuna të tjera është pjesëmarrëse në balotazh, mendoj unë se të gjitha do t’i humbë këto komuna”, shtoi ai.
Ai tha se rezultatet e raundin të dytë do të tregojnë realisht sa ka pëkrahja LVV në nivelin lokal.
“LVV-ja nuk ka potencial njerëzor profesional për të garuar në këto zgjedhje, por më rëndësi për LVV-në është pjesëmarrja sesa fitorja potencialisht që mundet të fitojë këto komuna në balotazhin që do të mbahet më 09 nëntor 2025. Këtu LVV-ja dhe z. Albin Kurti do të shohin edhe vetë sa shumë ka punuar për popullin dhe sa e duan LVV-në gjithandej Kosovës. As nuk duhet të mendohet se LVV-ja duhet të fitojë këto komuna në balotazh, e lëre më të fitojë ndonjë komunë hipotetikisht, ato komuna do të humbin shumë nëse fitojnë kandidatët nga radhët e LVV-së”, përfundoi Halimi./Gazeta Enigma/