Kriza energjetike në Kosovë dhe kërkesa për rritje të energjisë elektrike ka ngjallur frikë te qytetarët e Kosovës, sepse këta të fundit kanë deklaruar se po iu shkakton probleme për t’u ngrohur në shtëpitë e tyre, shkruan Gazeta Enigma.
Mirëpo, kjo nuk është problemi i vetëm për qytetarët, të njejtin shqetësim e ka edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, pasi Termokos nuk ka arritur të jap mjaftueshëm shërbim për ngrohtore, prandaj QKUK është dashur t’i aktivizojnë me naftë.
LEXO EDHE: QKUK aktivizon ngrohtoren me naftë, pasi Termokos nuk ka ofruar mjaftueshëm shërbimin e ngrohjes
Ndërsa, sa i përket kërkesës për rritje të çmimit për energji elektrike, ZrrE kanë thënë për Gazetën “Enigma” se vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike mund të merret tek kah fillimi i shkurtit të vitit të ardhshëm.
Zëdhënësja e ZRRE’së, Adelina Murtezaj, ka thënë se para dy ditësh kanë hapur procesin e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Sipas procedurave dhe afatave, Murtezaj thotë se të licencuarit kanë afat 20 ditë të dorëzojnë raportet për ndikimin financiar dhe më pas procesi i shqyrtimit do t’i nënshtrohet konsultimit publik.
“ZRRE ka hapur procesin e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm para dy ditësh. Sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara me kornizën ligjore rregullative, pasi të hapet Shqyrtimi i jashtëzakonshëm, të licencuarit brenda 20 ditëve të punës duhet të dorëzojnë raportet për ndikime financiar të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme (ku bëhet përshkrimi e ngjarjes së jashtëzakonshme, vlerësimin e ndryshimeve të kostove për ofrimin e shërbimeve, vlerësimin e ndryshimeve në të hyra e parashikuara me tarifa të rregulluara, dëshmohet se është kaluar pragu i materialitetit i vendosur me rregulla për përcaktimin e të hyrave, etj), Pastaj, procesi i shqyrtimit i nënshtrohet procedurave të konsultimit publik dhe orari tentativ i përfundimit të këtij procesi është në fillim të muajit shkurt 2022”, ka thënë Murtezi.
Murtezaj thotë se pas dorëzimit të këtyre raporteve, ZRRE’ja do të bëjë analiza të detajuara të të gjitha të dhënave që do të dorëzohen nga parashtruesit e kërkesave dhe se pastaj do të ketë një vendim përfundimtar.
“Duke marrë parasysh që procesi është hapur vetëm para dy ditësh, dhe siç sqaruam edhe më lartë, nuk është e mundur që të parashikohet tani se a do të ndryshoj çmimi i energjisë elektrike”.
“Të licencuarit: OST/OT, OSSH dhe Furnizuesi me Shërbim Universal, do të dorëzojnë raportet për ndikime financiar të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme në të hyrat e tyre. ZRRE do të bëjë analiza të detajuara të të gjitha të dhënave që do të dorëzohen nga parashtruesit e kërkesës për rishqyrtimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) dhe pastaj merret vendimi përfundimtar”, thuhet në përgjigje.
Vlen të theksohet se kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike e ka bërë KEDS-i disa ditë më parë.
LEXO EDHE: A do të ketë rritje të çmimit të energjisë?
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të mërkurë ka deklaruar për media se si qeveri do të mbulojnë shpenzimet e importeve të energjisë elektrike.
“Kriza e energjisë ka arritur edhe në vendin tonë. Kjo s`është risi. Ajo ka prekur të gjitha vendet e botës. Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të mungojmë maksimumin që të mbesim me furnizim të rregullt dhe shmangim rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh ai.
Ku qëndron problemi për krizën energjetike që ka kapluar edhe Kosovën?
“Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma”, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci.
Stavileci tutje tha se “Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, veçanërisht kjo që lidhet me situatën e furnizimit të rregullt me energji elektrike, e cila po bën që qytetarët tanë t’i vuajnë pasojat e rënda dhe po krijon pasiguri të madhe tek të gjithë”
Tutje, Stavileci theksoi se Qeveria e Kosoves jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë zgjidhje të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit.
Ai tha se qeveria ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë, me dështimin, refuzimin dhe bllokimin e projekteve strategjike, që sipas tij do ta zgjidhnin çështjen e sigurisë së furnizimit.
“As refuzimi as bllokimi as adresimi i fajësisë për të kaluarën nuk prodhojnë rrymë e ngrohje për qytetarët tanë dhe për familjet e bizneset prodhuese të Kosovës”, tha ndër të tjera ai.
Ndërsa, deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka hedhur akuza ndaj qeverive të kaluara për situatën e rëndë energjetike që ndodhet Kosova.
“20 vjet e kanë vjedh dhe e kanë mjelë këtë shtet e po lypin nga Qeveria Kurti për 9 muaj me e ngrit në këmbë” ka thënë ajo.
Tutje, Pacolli thotë se “për mos me ardh në këtë ditë është dasht me punu me mish e me shpirt për këtë vend e jo me e vjedh e milionat e tyre me i mbajt offshore”.
Ndryshë, qeveria e Kosovës sot ka kërkuar miratimin e presindetes Osmani për një kredi. /Gazeta Enigma/.