A po kontrollon Policia e Kosovës personat e vetizoluar, flasin qytetarët

A po kontrollon Policia e Kosovës personat e vetizoluar, flasin qytetarët

Javën që lamë pas Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar që Policia e Kosovës është obliguar që ta bëjë kontrollin e personave të cilët janë në listën e IKSHPK-së si të infektuar me COVID-19 dhe që janë të vetizoluar në shtëpitë e tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.

Se si po funksionon ky kontroll dhe a po respektohen masat nga të vetizoluarit që janë të infektuar me COVID-19, kanë folur nga Policia e Kosovës.

Nga zyra për informim e PK-së, kanë deklaruar për Gazetën “Enigma” se kanë  kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për t’i mbikëqyrur personat e infektuar me COVID-19 dhe që janë të vet izoluar në shtëpitë e tyre.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, orari i punës i Policisë së Kosovës është zgjatur nga 8 në 12 orë.

“Policia e Kosovës ka angazhuar në terren zyrtarët policorë në rroba civile, të cilët operojnë në nivel vendi, për t’u kujdesur për zbatimin dhe respektimin e masave, përfshirë përdorimin e maskave nga ana e qytetarëve, si dhe respektimin e masës për vetizolim të personave që nënshkruajnë deklaratën në betim për vetizloim”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Përkundër se janë pyetur se a kanë shqiptuar gjoba për qytetarët që nuk e respektojnë karantinimin, nga Policia nuk kanë dhënë detaje.

Ndërkaq, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, orari i punës i Policisë së Kosovës është zgjatur nga 8 në 12 orë.

Ekspertët e sigurisë skeptik për nivelin e kontrollimit të respektimit të masave anti COVID

“Masat e ndërmarra nga ana e MPB-së më shumë po i përkasin nivelit represive se sa atij preventive sepse niveli politik ka zgjedhur të vetmën mënyrë atë të frikës se sa të shkojë në drejtim të arritjes të vetëdijes ku këto masa do të kishin me qene të panevojshme”, kështu ka thënë eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai ka propozuar edhe masat që sipas tij do të ishin më të efektshme për ta parandaluar infektimin e mëtejmë të popullit. “Masat që duhet të ndërmerren dhe që do mund të rritet efikasiteti i luftës kundër COVID-19 do kishte me qenë që personat pa certifikat anti-COVID mos të ju jipet mundësia që të marrin pjesë në jetën shoqërore publike dhe kështu arrihet niveli i vetëdijsimit në këtë luftë”, ka deklaruar Shala për Gazetën “Enigma”.

Tutje ai ka shtuar se sipas tij personat që me vullnetin e tyre nuk vaksinohen janë armë e gjallë që mund të vrasin shumë persona të tjerë.

“Personat që me vullnet të tyre nuk vaksionohen do duhet ti shqiptohet dënimi në formën e prerë me burgim duke thirrur në nenin që përcakton cenimi i sigurisë publike/nacionale sepse këta persona janë armë e gjallë që mund të vrasin me dhjetëra persona”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Policia e Kosovës duhet që të ketë kujdes edhe në aspektin e ruajtjes së imazhit të saj sepse shumë shpejt mund të humb përkrahjen dhe mbështetjen nga ana e qytetareve.

A po kontrollohen qytetarët e izoluar?

Astrit Salihu nga Pogragja e komunës së Gjilanit, ka thënë për Gazetën “Enigma” se ai së bashku me bashkëshorten e tij janë kontrolluar nga policia për respektimin e vetizolimit.

“Fizikisht nuk ka qenë askush por përmes thirrjeve telefonike na kanë kontaktuar Policia e Kosovës vetëm një herë kur kemi rezultu pozitiv me COVID-19, ndërsa ditën e fundit të vetizolimit na kanë telefonuar nga IKSHPK-ja për me na informu që e kem përfundu kohën e vetizolimit” ka thënë Salihu.

Mirëpo gjatë bisedës telefonike Salihu ka rrëfyer ditët gjatë kohës së vetizolimit, pasi që gruas së tij lehonën i ishte përkeqësuar gjendja dhe nuk i është ofruar ndihmë në kohën e duhur.

“Gruaja ime është lehonë, gjendja e saj shëndetësore nuk ka qenë aspak e mirë dhe shumë herë kem pas nevojë për ndihmën mjekësore, kam telefonuar qendrën e COVID-it në Gjilan dhe në shumë raste kemi marrë përgjigjen negative me arsyetimin  ne i kem vetëm dy ekipe mobile për COVID dhe kem pacientë të tjerë që kanë nevojë ma shumë se ti për shërbime mjekësore”, rrëfen ai.

Sipas tij, me përkeqësimin e gjendjes së bashkëshortes ai është detyruar të kërkoj ndihmë nga klinikat private.

“I kam pyet se çka me bo unë tash, a ta lë gruan me vdek?’, mirëpo prapë nuk kanë ardhur andaj jam detyruar të kërkoj ndihmë nga klinikat private” thotë Salihu.

Tutje ai shton se nuk e fajëson qendrën në Gjilan për kapacitetin e ekipeve për COVID-19, pasi që sipas tij Ministria e Shëndetësisë duhet të ja plotësoj kushtet për punë stafit mjekësor sidomos kur dihet që tash e sa kohë jemi në gjendje të rëndë pandemie.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, më 31 gusht, kishte deklaruar se “Policia e Kosovës do të bëj kontrollin e personave, të cilët janë në listën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, si të infektuar, për t’u siguruar që ata që nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor, të vetizolohen në shtëpitë e tyre dhe po ashtu, ata të cilët kthehen në Kosovë dhe nënshkruajnë nën betim deklaratën për vetizolim, të sigurohemi që ata i përmbahen këtij obligimi”.

Ndërkaq, vetëm 24 orët e fundit nga Policia e Kosovës ka njoftuar se në qytete të ndryshme të Kosovës ka shqiptuar gjithsej 2972 tiketa në bazë të ligjit anti-COVID./Gazeta Enigma/.

Related Articles