Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në politikën e jashtme të vendit, raporton Gazeta Enigma.
Kreu i LDK-së ka thënë se derisa Kosova po e humb përkrahjen ndërkombëtare, Serbia “s’ka pasur kurrë më tepë përkrahje ndërkombëtare se sot”.
“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur. E vërteta është e trishtë. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën. Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se në ditët në vijim do “ta prezantojë planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës”.
“Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie. Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot. Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë”, ka shkruar Abdixhiku. / Gazeta Enigma.