Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me kryesinë e partisë po qëndron në vizitë zyrtare në Tiranë.
Ai bashkë me nënkryetarë të partisë dhe kryetarin e grupit parlamentar ka filluar takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Tradicionalisht LDK-ja s’ka pasur marrëdhënie të mira me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Madje është e vështirë të mendohet se ndonjë delegacion i lartë nga LDK’së i ka shkuar në zyrën kreut të Partisë Socialiste. Që nga themelimi, LDK-ja ka qenë gjithmonë e afërt me PD-në e Sali Berishës, pa kurrëfarë raporti që nga koha e Ibrahim Rugovës, kur socialistët i kishin nisur kontaktet me Hashim Thaçin ndërkohë që në Kosovë ishin të dhënë pas figurës së Rexhep Qosjes.
Sido që të jetë raportet mes dy blloqeve viteve të fundit janë përmirësuar. Vitin e kaluar, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Edi Rama ka shkuar në selinë e LDK’së ku ka takuar udhëheqësinë e re të LDK’së në krye me Abdixhikun. Ndërkohë që ish Kryetarin e LDK’së Isa Mustafa kishte shkuar ta vizitonte në fshatin e tij, në Prapashticë.
Nga takimi me Ramën, mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.
Gjatë ditës, Abdixhiku do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj.