Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, është deklaruar rreth koalicioneve të mundshme paszgjedhore, duke thënë se “qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme”.
Gjatë fushatës, Abdixhiku kishte thënë se do të hynte në Qeveri vetëm me atë si kryeministër dhe se nuk do bënte koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!”, deklaroi ai.
Ai tha se pavarësisht të gjithave, ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën.
“Sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe!”, u shpreh Abdixhiku.
“Gjithsesi, për të gjitha këto do të vendosim si një! LDK është shtëpi e demokracisë! Le të presim numërimet! Le të ecim drejtë e siç dijmë ne! Dritë do të ketë sërish!”.
“Kokën lartë secili! E rëndësishme që kemi rigjetur njëri tjetrin, jemi kthyer në bazë. E rëndësishme që kemi rikthyer veten në numrat tanë historik. Kjo është baza jonë!
“LDK nuk i ka fituar zgjedhjet, do të donim këtë në veçanti ne, këtë e dijmë, por LDK pritet ti shtojë plot 80 mijë vota; e kapërcimi prej 12 në 20% do të vërtetohet si arritje e jashtëzakonshme. Prisni pak ditë. Ne nuk e kemi nisur garën as me 50% as me 20%. Ishim vetëm 12%! Sot, mbështetemi në qytetarinë që na jep edhe qetësi edhe shtytje për rrugëtimin e ri!”, shtoi më tej kandidati për kryeministër.
“Po, ky është rezultat i mirë pas rënies historike”. /Gazeta Enigma