Ademi e Çeku takohen edhe me drejtorin e “HatTrick”-ut të UEFA-s

Ademi e Çeku takohen edhe me drejtorin e “HatTrick”-ut të UEFA-s

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme krahas takimit me të parin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, bashkë me ministrin e Sportit, Hajurlla Çeku kanë vizituar edhe zyrën e programit “HatTrick”, e cila i mbështet financiarisht projektet e ndryshme të FFK-së dhe federatave tjera.

Postimi i plotë i Ademit:


Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin Hajrulla Çeku të vizitojmë edhe zyrën e “HatTrick” në UEFA, ku takuam drejtorin e këtij programi, njëkohësisht edhe zv.drejtor i federatave anëtare të UEFA-s, Thierry Favre, bashkë me Denis Bastarin, menaxher të projekteve dhe përgjegjës për shumë federata, në mesin e të cilave është edhe Kosova.


Edhe në këtë takim diskutuam për projektin gjigant të ndërtimit dhe renovimit të stadiumeve të futbollit në Kosovë të paraqitur nga ministri Çeku në takim me presidentin Çeferin.

Duke qenë se personalisht jam pjesë e Komitetit “HatTrick”, do ta shtyj përpara këtë proces, për të gjetur mënyra për mbështetjen e tij nga ana e UEFA-s, ashtu siç premtoi edhe presidenti Çeferin.

Favren dhe Bastarin i falënderova për ndihmën e vazhdueshme që i japin FFK-së.

Related Articles