Gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj, ka kërkuar afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit lirues në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, rast ky që arrin parashkrimin më 8 maj 2023.
Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja për informim e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se gjyqtari i kësaj çështje Valon Kurtaj, me kërkesën e datës 19.12.2022, në çështjen penale me numër PS.nr.17/2020, ka kërkuar zgjatjen e afatit ligjor për përpilimin me shkrim të aktgjykimit, me arsyetimin se rasti është i ndërlikuar dhe koha për përpilimin me shkrim të aktgjykimit është e pamjaftueshme”, ka thënë Gashi.
Në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve” akuzoheshin për korrupsion katër ish-ministrat e Qeverisë “Thaçi 2”, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjukaj. Aktgjykimi lirues ndaj të akuzuarve ishte dhënë më 8 nëntor 2022 apo 46 ditë më parë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka deklaruar se kërkesën e gjyqtarit Kurtaj e ka vlerësuar si të bazuar edhe kryetarja e gjykatës, Albina Shabani-Rama.
“Kryetarja e Gjykatës, në referim të kërkesës së gjyqtarit Valon Kurtaj, për zgjatjen e afatit ligjor për përpilimin me shkrim të aktgjykimit në çështjen penale me numër……., ka vlerësuar se kërkesa është e bazuar në ligj dhe të njëjtën e ka aprovuar, ngase ligjdhënësi në dispozitën e nenit 369 par.1 të KPPK-së, ka paraparë mundësinë e zgjatjes së afatit ligjor për përpilimin me shkrim të aktgjykimit në rastet kur është pamundësuar përpilimi i tij brenda afatit të rregullt të përcaktuar me ligj”, ka theksuar Gashi.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga gjykatësi Kurtaj të tregojë nëse përveç këtij aktgjykimi ka shpallur edhe aktgjykime tjera gjatë muajve nëntor- dhjetor, mirëpo në këtë pyetje nuk është kthyer një përgjigje deri më tani.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në dhjetor 2021 në raportin e publikuar “Korrupsioni në prag të Vjetërsimit”, në mesin e shumë rasteve të identifikuara për parashkrim kishte paraqitur edhe këtë rast i cili arrin parashkrimin në maj të vitit 2023. Një rikujtim të tillë IKD e ka vënë në pah edhe në raportin e publikuar me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, raport ky i publikuar në dhjetor të vitit 2022.
IKD në këto dy raporte hulumtuese kishte rekomanduar që gjyqtarët korrupsionin ta trajtojnë si prioritet, në atë mënyrë që këto lëndë të trajtohen me efikasitet dhe të mos lejojnë që në asnjë rast të korrupsionit të arrihet afati i parashkrimit.
KGJK me 31 maj 2022 ka miratuar Planin Strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 lidhur me efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve brenda sistemit gjyqësor, ku sipas këtij plani përkatësisht tek Kapitulli VI, pika 1,1 thuhet se: “Sa i përket lëndëve të fushës penale – qe rrezikojnë parashkrimin, gjyqtarët duhet të kujdesen që të trajtohen brenda afatit sa më të shkurtër, duke u kujdesur që seancat të mbahen brenda një periudhe të caktuar kohore dhe të jenë të vazhdueshme deri në zgjidhjen e çështjes, mos trajtimi i lendeve te cilat rrezikojnë parashkrimin ndikon në dëmtimin e imazhit te sistemit të drejtësisë ne njërën ane dhe ne anën tjetër ndikon edhe ne besimin e qytetareve dhe palëve ne sistemin e drejtësisë” Në këtë fushë, mbikëqyrja e KGJK është e domosdoshme në mënyrë që të mos vie deri tek parashkrimi i lëndëve të korrupsionit.
Për shkak të parashkrimit relativ për 13 të akuzuar, ky rast ka përfunduar akoma pa filluar, në rast se edhe për të pandehurit e tjerë nuk merren një vendim përfundimtar nga të gjitha instancat gjyqësore deri më 8 maj 2023, atëherë edhe aktakuza ndaj katër ish-ministrave do të parashkruhet.
Në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, rezulton se gjykatësi Kurtaj gjatë vitit 2022 ka publikuar vetëm 2 aktgjykime, në të cilat aktgjykime gjendet vetëm data e shpalljes së tyre dhe jo data e përpilimit siç kërkohet me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Njëri nga këto aktgjykime është për “Krime lufte” ndërsa tjetri për “Krim të organizuar”.
Sipas nenit 370 paragrafi 2 të kodit përkatës ku është dhënë forma dhe përmbajtja e aktgjykimit ndër të tjera thuhet se : “Hyrja e aktgjykimit përfshin: shënimin se aktgjykimi merret në emër të popullit, emrin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin e gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit dhe të anëtarëve të trupit gjykues dhe të procesmbajtësit, emrin dhe mbiemrin e të akuzuarit, veprën penale për të cilën i akuzuari është dënuar dhe nëse ka qenë i pranishëm në shqyrtimin gjyqësor, ditën e shqyrtimit gjyqësor, nëse shqyrtimi gjyqësor ka qenë i hapur, emrin dhe mbiemrin e prokurorit të shtetit, mbrojtësit, përfaqësuesit ligjor dhe të përfaqësuesit të autorizuar të cilët kanë qenë të pranishëm në shqyrtim gjyqësor, datën e shpalljes së aktgjykimit të shqiptuar dhe datën e përpilimit të aktgjykimit”.
Ndërkaq, Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Atdhe Dema njëherësh edhe prokuror i rastit, ka thënë se do ta ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Shqyrtimi kryesor në rastin “Afera e Hidrocentraleve” ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit ishin deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjukaj.
Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjukaj.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohej se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Me këto veprime, PSRK i ngarkonte këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzonte edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohej edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të drejtorit menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktojë dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.