“Rrugët e vdekjes” – 10 viktima nga aksidentet e trafikut për 20 ditë

“Rrugët e vdekjes” – 10 viktima nga aksidentet e trafikut për 20 ditë

Brenda një periudhe prej 20 ditësh, Kosova ka shënuar një bilanc tragjik me 10 viktima nga shtatë aksidente me fatalitet, shkruan Gazeta “Enigma”.

Këto statistika alarmante nënvizojnë rritjen e numrit të aksidenteve rrugore dhe nevojën për masa të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Faktorë të tillë si shpejtësia e tejkaluar, mosrespektimi i rregullave të trafikut dhe kushtet e këqija atmosferike, punime në rrugë shpesh kontribuojnë në këto aksidente.

Policia dhe autoritetet përkatëse janë duke bërë thirrje për më shumë kujdes nga drejtuesit e automjeteve, ndërsa po ndërmarrin hapa për të shtuar kontrollet dhe fushatat sensibilizuese.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit, Nol Deda, I cili ka theksuar se shpejtësia e lëvizjes nga ana e vozitësve është një ndër faktorët kryesor që ka ndikuar t’i kemi këto shifra alarmante të aksidenteve me fatalitet vetëm në 20 ditëshin e fundit.

“Në këto situata shpejtësia e lëvizjes është më aktivja në aksidentet me dëme të mëdha materiale dhe me fatalitet”, tha ai.

Tutje Deda ka shtuar se gjendja aktuale në vend paraqitet si gjendje me rrezikshmëri shumë të lartë.

Deda ka shprehur shqetësim për muajt në vijim kur edhe ka ndryshime të kushteve klimatike dhe mund të ndikojnë në rritjen e këtyre shifrave.

“Nëse i kemi 10 të vdekur për 7 aksidente me fillimin e ndryshimit të kushteve atmosferike ta shohim se çka do të ndodh në muajt në vazhdim kur edhe pritet të ketë edhe ndryshime më të mëdha të kohës”, tha ai.

Tutje Deda ka theksuar se “Policia e trafikut nuk ka personel të mjaftueshëm për me pas kontroll në të gjithë territorin e Kosovës dhe ka shumë pak pika statike për matjen e shpejtësisë”.

“Sa i përket Ministrisë së Infrastrukturës nuk është duke u marr askush me investime rrugore, që do të thotë nuk ka buxhet për me investu në sigurinë rrugore”, deklaroi ai.

Tutje ai ka shtuar se “Qeveria nuk ka krijuar institucione përkatëse, si institute për hulumtimin e faktorëve që qojnë në aksidente, nuk ka agjencion të sigurisë që do të merret edhe me masat preventive të rekomanduara prej institutit, nuk kemi as strategji për sigurinë rrugore”.

“10 të vdekur nga 7 aksidente me fatalitet në 20 ditëshin e fundit në Kosovë”

“Autostrada, Dr. Ibrahim Rugova’’ Suharekë-Gjurgjicë 04.10.2024-14:00. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet ku një person ka humbur jetën. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.

“Rr. Gjilan-Prishtinë / 05.10.2024 – 23:00. Është raportuar se në rrugën magjistrale  Gjilan – Prishtinë te liqeni i Badovcit, një veturë me targa vendore në lëvizje dyshohet se ka shkaktuar vet aksident dhe si pasojë e lëndimeve tre persona – viktimat, drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë meshkuj kosovarë kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar mjeku. Njësitë relevante policore, prokurori, njësitë emergjente dhe të kërkim-shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion”.

“Rr. Ali Kelmendi, Lipjan 30.9.2024 – 15:13. Sot më 07.10.2024 rreth orës 19:30 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar, i cili ishte në trajtim mjekësor si pasojë e goditjes nga një veturë më 30.09.2024. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion”.

“Autostrada Ibrahim Rugova Km 3 Prizren Jug – Vërmicë / 13.10.2024 – 14:40. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa kishte qenë duke e drejtuar motoçikletën kishte humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe si pasojë ka shkaktuar vet aksident me pasoja fatale, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Përveç njësive relevante policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me urdhërin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”.

“Gllogoc / 16.08.2024 – 21:10. Më 14.10.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar pas aksidentit të ndodhur me 16.08.2024. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

“Autostrada “Dr. Ibrahim Rugova” Prizren jug KM13 / 21.10.2024 – 18:40. Ka ndodhur aksident trafiku në mes dy veturave dhe një kamioni, ku si pasojë dy meshkuj kosovarë kanë vdekur, po ashtu janë lënduar edhe tre meshkuj kosovarë. Me vendim të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”.

“Rr. Kamenicë, Gjilan / 21.10.2024 – 06:40. Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve me drejtues meshkuj kosovarë, ku si pasojë njëri nga drejtuesit ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, ndërsa lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i automjetit tjetër, i dyshuari mashkull kosovar i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit  trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

Kujtojmë se në disa nga këto raste, aksidentet fatale kanë ndodhur edhe si pasojë e punimeve në rrugë.

Shpeshherë, mungesa e sinjalizimeve adekuate apo keq menaxhimi i trafikut gjatë këtyre punimeve krijon kushte të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve. Shpejtësia e pa përshtatur në zonat e punimeve, ndërprerjet e papritura të rrugës dhe devijimet e pa qartësuara kontribuojnë në këto incidente.

Autoritetet janë të thirrura të rrisin standardet e sigurisë dhe sinjalistikës në vendet ku kryhen punime, në mënyrë që të minimizohen rreziqet dhe të parandalohet humbja e jetëve. /Gazeta Enigma/

Related Articles