Kryeministri në detyrë të Kosovës, Albin Kurti të martën në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, e ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet, duke bërë “premtime të rreme për vende pune dhe përfitime financiare”, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas Kurtit, veprimet e fundit të Aleksandër Vuçiç dhe akterëve të tjerë së politikës serbe janë përshkruar si ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është më serioze sesa ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet në Evropë.
“Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së në zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025 kishte identifikuar ndërhyrje serbe në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet nga shtetet e tjera janë forma të shkeljes së demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Pavarësisht të gjithave këtyre, Serbia nuk ka marrë asnjë pasojë nga BE-ja, prandaj Serbia nuk po e ndryshon sjelljen e saj. Kjo ndërhyrje që po bën Serbia tani është edhe më serioze se ajo e Rusisë në Evropë”, tha dje ai.
Kryeministri e ka dhënë këtë deklaratë përgjatë mbledhjes së Qeverisë , ndërkohë që kabineti i tij mori një sërë vendimesh për politika sociale.
Nga ana tjetër, Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë këtë ndërhyrje nga Beogradi në zgjedhjet e Kosovës dhe të marrë masa për sanksionimin e Serbisë për këtë.
Vuçiç ka thënë se pritet të hapen 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Këtë deklaratë të Presidentit serb e ka mbështetur dhe ministri i Shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Lonçar, duke nënvizuar se hapja e 400 vendeve të punës është një lajm që tregon përkushtimin e shtetit serb për sistemin shëndetësor në Kosovë.
Eksponentët e shtetit serb nuk kanë ndaluar thirrjet e tyre ndaj shtetasve me dokumente të Kosovës, duke i nxitur të votojnë Listën Serbe. Specifikisht, këtë thirrje e ka bërë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Pikërisht këto deklarata, e kanë bindur Kryeministrin e Kosovës që të akuzoj palën serbe.
Ai theksoi se fitorja e Listës Serbe nënkupton edhe “vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe ndihmës financiare” nga shteti i Serbisë, duke konfirmuar se Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të presidentit Vuçiç.
“A prishet dita?”
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të përgjigjet për gazetarët lidhur me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 12 tetor, të dielën.
Osmani ka dhënë një koment të shkurtër kur është pyetur për temën në fjalë
‘‘A e prishni ditën me fëmijë me tema të Vuçiqit’’, ka thënë ajo.
Ndërhyrja e Serbisë pohohet edhe nga komuniteti serb
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se fushata zgjedhore në veri të Kosovës po zhvillohet nën presion, me metoda brutale dhe shantazhe nga përfaqësues të Listës Serbe dhe institucione të Serbisë, të cilat, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët dhe kandidatët e partive të tjera.
Rashiq ka thënë se situata në veri mbetet e vrazhdë dhe se përfaqësuesit e Listës Serbe po ushtrojnë presion ndaj qytetarëve për të siguruar mbështetje politike, pa çka bëri të ditur se zyrtarët e kësaj liste po shkojnë nëpër shtëpi e secilit.
“Situata si zakonisht e vrazhdë, në çdo kohë po i bëjmë një promovim të themi në hije, ose promovim i cili nuk është masovik sikur që duhej të ishte rasti, por e bëjmë në mënyrë direkte me qytetarët kështu. Kemi kandidatë në tri komunat veriore, kemi kandidatë të mirë, por megjithatë ajo krejt kjo bie në kategorinë e dytë, duke parë që gjitha metodat që përdoren janë brutale në fushata të cilat po udhëhiqen nga niveli lokal nga organet e Listës Serbe”, theksoi ai.
“Dhe presidenti i Serbisë prapë deklaron së pari në mënyrë ofenduese ndaj oponentëve të partive të tjera, përveç Listës Serbe, ata nuk hezitojnë që në çdo rast e vetmja listë e cila është mbështetur nga ana e qeverisë dhe organeve të Serbisë është Lista Serbe. Kjo në mënyrë të terrenit, përfaqësuesit e Listës Serbe po bëjnë qoftë shantazhe, qoftë kërcënime ndaj të gjithë njerëzve që mendojnë ndryshe”, theksoi tutje Rashiq.
Rashiqi tha se përfaqësuesit e Listës Serbe po ushtrojnë ndikim edhe përmes ofertave të drejtpërdrejta për punësim në sektorin e shëndetësisë dhe institucione të tjera, duke kërkuar në këmbim votën për këtë parti.
Ai ka shtuar se praktikat e njëjta po përsëriten edhe në rajonet tjera, përfshirë Anamoravën, ku qytetarët që kanë përfituar ndihma apo subvencione janë përjashtuar nga lista sociale dhe ndihmat shtetërore.
Rashiq tha se tashmë janë aktivizuar edhe mekanizma për mobilizimin e qytetarëve me dokumente të Kosovës që jetojnë në Serbi, për t’u kthyer në Kosovë e për të votuar për Listën Serbe.
“Fakt i njohur”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Rashit Qalaj, tha për Gazetën “Enigma” se tentimi i Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës është fakt i njohur, sepse ka ndodhur edhe në të kaluarën.
“Është fakt i njohur që Serbia gjithmonë ka tentuar të ndërhyjënë zgjedhjet në Kosovë, duke e mbështetur me forma tëndryshme Listën Serbe, pra duke i përdorur gjitha resurset që i ka. Lista Serbe tenton që t’i maksimalizoj votat, sidomos nëpjesën veriore por edhe në komunat tjera të banuara me shumicëserbe”, tha ai.
Qalaj tha se serbët lokal që janë shtetas të Kosovës, duhet të jenë të kujdësshëm në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
“Besoj që serbët lokal, banorë të Kosovës duhet të jenë tëkujdesshëm që me të vërtetë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre tëcilët do të kishin punuar për ta e jo për Serbinë, por që do tëishin angazhuar që të ua përmirësojnë kushtet e jetës qytetarëve serb në gjitha komunat. Është me interes të vetë komunitetit serb të përzgjedhë përfaqësuesit e tyre, ata që mendojnë se i përfaqesojnë sa më mirë. Ndërsa shteti i Kosovës – institucionet e Kosovës duhet të bëjnë të pamundurën që të minimizojnëndikimin e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës”, përfundoi deputeti Qalaj.
“Edhe Kurti ka ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve fqinje”
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, tha në një prononcim për Gazetën “Enigma” se deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ndërhyrjen e Vuçiq, vijnë në një kohë fushate, me tendencën për të fituar ndonjë votë.
“Jemi duke u marrë me fushatë dhe deklaratat e tij nuk është se na lënë ndonjë përshtypje. E dimë që ai është i gatshëm më bëgjithçka për me fitu ndonjë votë me këto deklarata kontraverse. Ndoshta ai ka ndonjë informacion, sepse është duke e mbajt dhunshëm Qeverinë”, tha ajo.
Tutje, Kadriaj tha se Kurti vetë e ka bërë të njëjtën gjë, duke ndërhyrë direkt në zgjedhjet ne vendet e rajonit.
“E dini se si Kurti ka interferu në zgjedhjet e Maqedonisë sëVeriut, duke marrë pjesë aktivisht, me 15 deputetët e tij. Ka interferu edhe në Mal të Zi, Shqipëri. Edhe në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc i ka përça”, shtoi ajo.
Ajo tha se janë organet e sigurisë që duhet të merren me këtë çështje.
BE evidentoi ndikimin e Beogradit në votat e serbëve të Kosovës
Ndërkaq kujtojmë se edhe raporti përfundimtar i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) mbi zgjedhjet nacionale të mbajtura më 9 shkurt 2025 në Kosovë vlerësoi se procesi ishte përgjithësisht i qetë dhe konkurrues, por u shoqërua me sfida serioze në transparencë, barazi dhe ndikim politik nga jashtë.
Një nga gjetjet kryesore të raportit është ndërhyrja e strukturave serbe në procesin zgjedhor, përmes: “presioneve ndaj votuesve serbë që të mbështesin vetëm Listën Serbe; përdorimit të burimeve dhe mediave nga Serbia për të ndikuar qëndrimet e komunitetit serb; si dhe mospasjes së pluralizmit politik brenda komunitetit serb, pasi kandidatët alternativë u përballën me pengesa dhe mungesë mbështetjeje”.
Raporti thekson se rreth 170 mijë votues serbë u ekspozuan ndaj ndikimeve politike dhe dezinformimit nga Beogradi. / Gazeta Enigma/