Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka përkujtuar sulmin e dytë të policisë serbe kundër familjes Jashari në Prekaz.
Aliu me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Jasharajt e Prekazit e kthyen kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës.
“25 vjet nga sulmi i dytë i forcave të Serbisë mbi Jasharajt. Në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë, kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit. Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës. Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998.” – ka shkruar ai.