Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, dhe ai në Serbi, Christopher Hill, po shihen si personat adekuat të cilët do të kenë ndikim në dinamizim të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje, Hovenier dhe Hill mund të jenë edhe përfunduesit e marrëveshjes finale në mes të të dyja vendeve.
Kjo, për shkak se të dy ambasadorët e njohin mirë situatën në mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan FrontOnline.
Dersa, Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambujesë, Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Ish-kryeministri Hoti për emërimin e Hovenier dhe Hill: Do të shohim dinamikë tjetër të zhvillimeve politike në rajon
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një deklaratë për FrontOnline, pa dashur të komentojë ndikimin e ambasadorit Hovenier dhe Hill në Prishtinë e Beograd, ka thënë se tashmë do të shihet një dinamikë tjetër e zhvillimeve politike në rajon.
E, këtë e thotë për një arsye.
“Emërimi i dy ambasadorëve të SHBA-së për Kosovë dhe Serbi, që e njohin shumë mirë regjionin, premton se do të shohim një dinamikë tjetër të zhvillimeve politike në rajon. Po ashtu, emërimi i emisari special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor tregon për vëmendjen që Shtëpia e Bardhë do t’i kushtojë Ballkanit dhe Kosovës në veçanti”, është shprehur Hoti, për FrontOnline.
Ndërsa, ka pohuar se nuk e din nëse në këtë vit do të ketë arritje të marrëveshjes finale.
“Nuk e di nëse do të arrihet marrëveshja finale me fqinjin verior brenda këtij viti, por me rëndësi është që sa i përket dialogut Kosova të jetë e koordinuar dhe konstruktive në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë dhe partnerët e tjerë perëndimor”, është shprehur ndër të tjera Hoti.
Sipas tij, në këtë proces, me rëndësi është qëndrimi i qartë i Shtëpisë së Bardhë, i shprehur në letrën e Presidentit Biden dhe të presidentëve para tij, drejtuar dy palëve të dialogut, se rezultati final i dialogut është njohja reciproke.
Ish-ambasadori Spahiu: Ambasadorët Hovenier dhe Hill do ta dinamizojnë dialogun
E, ish- ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu në një prononcim për FrontOnline, thotë se fokusimi i tyre pa dyshim do të jetë në dialogun Kosovë-Serbi.
“S’do mend fokusimi i tyre diplomatik do të jetë pikërisht Kosova dhe raportet e saj me Serbinë. Le të shpresojmë që ata si njerëz të mirë të rrethanave dhe si njerëz me një përvojë të jashtëzakonshme diplomatike do të japin një cytje të vërtetë dialogut që të ec në drejtim të gjetjes së një zgjidhje që do të garantonte normalizimin e raporteve midis dy vendeve”, ka deklaruar Spahiu, për FrontOnline.
Ndërsa, për arritjen e një marrëveshje finale ka deklaruar se është e vështirë të thuhet, por se do të ketë dinamizim në këtë proces është e pashmangshme.
“Është vështirë të thuhet, por mund të presim që të jetë një dinamizim do të thotë i dialogut dhe që të gjinden mënyra më kreative që të dy palët të kenë një marrëveshje e cila do të rezultonte me njohjen dy palëshe të dy shteteve”, është shprehur ndër të tjera Spahiu.
Ish-koordinatori për Dialog: Lajm i mirë emërimi i dy ambasadorëve amerikan në Kosovë e Serbi
Lajm të mirë emërimin e dy ambasadorëve amerikan në Kosovë e Serbi e ka quajtur ish-kooridnatori për dialog njëherit ish-ministër i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni.
E, derisa, këtë e ka quajtur lajm të mirë, ka thënë se kjo është shenjë që diplomacia amerikane po rikthehet me intensitet në Ballkanin Perëndimorë.
“Po unë nuk mund të flas shumë dhe ta shohësh se cilat do të jenë detyrat e ambasadorëve amerikan, sepse detyrat e ambasadorëve amerikan janë të ditura ata transmetojnë dhe zbatojnë politikat e jashtme të SHBA-së në vendet ku dërgohen, sido që të jetë edhe në Beograd edhe në Podgoricë edhe në Prishtinë edhe në Kroaci janë vendos që kanë pasur përvojë të madhe me rajonin, dhe kanë njohuri të mirë të Ballkanit Perëndimorë, kjo është një shenjë dhe dëshmi që diplomacia amerikane dhe politika e jashtme e Amerikës po ripërkushtohet, shkurtimisht po them, po rikthehet më me intensitet në Ballkanin Perëndimor, dhe unë besoj që ky është një lajm i mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Muhaxhiri: Hovenier e Hill shtytës të arritjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi
Shtytës të arritjes së marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë po shihen nga analisti, Artan Muhaxhiri, dy ambasadorët amerikan, ai në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ai në Serbi, Christopher Hill.
“Po, absolutisht unë mendoj që dy ambasadorët e rinj në Kosovë dhe Serbi për vet faktin që janë njohës shumë të mirë të kontekstit ballkanas dhe të kontekstit në mes Kosovës dhe Serbisë ata do të jenë shtyes shumë të mëdhenj të përfundimit të arritjes së marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Muhaxhiri, për FrontOnline.
Sipas tij, emërimi i tyre po ashtu do të jetë edhe një presion ndaj Bashkimit Evropian.
Ndërsa, deklaron se do të ishte tragjike nëse liderhsipi kosovar e humb këtë rast dhe këtë përkrahje të ShBA-së.
“Emërimi i këtyre ambasadorëve është edhe një presion ndaj BE-së, ndaj Brukselit që të jetë shumë më aktiv në dinamizimin e dialogut sepse është e palogjikshme që Amerika të jetë shumë aktive, ndërsa Brukseli të jetë pasiv. Ky është një rast i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të humbet nga ana e lidershipit kosovar, pra do të ishte tragjike nëse lidershipi politik kosovar e humb një rast të një përkrahje shumë të madhe nga ShBA-të”, ka thënë ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Ndërsa ambasadori emerikan në Serbi Christopher Hill gjatë periudhës së luftës në Kosovë shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambujesë, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.
Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”. / Gazeta Enigma.