Ambasadori Berishaj pritet të dal para deputetëve të Kosovës për skandalin e 600 mijë eurove

Ambasadori Berishaj pritet të dal para deputetëve të Kosovës për skandalin e 600 mijë eurove


Skandali në të cilin dyshohet se u përfshi Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se përmes kompanisë së tij “MB Consulting”, e cila është e regjistruar në Podgoricë, ka pastruar rreth 600 mijë euro, pritet të marr epilog së shpejti, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse të hënën u raportua se Berishajt iu janë bllokuar llogaritë bankare në Mal të Zi, ai shpejt pritet të ballafaqohet edhe me ligjvënësit kosovar.

Deputetja nga radhët e PDK-së, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, bëri të ditur se ndonëse komisioni ende s’është themeluar, Berishaj pritet të jetë pjesë e listës së personave që do të intervistohen.

“Komisioni ende nuk është themeluar, por unë besoj se edhe z. Berishaj do të jetë pjesë e listës, sepse është i implikuar në çështje”, ka thënë deputetja Hoxha.

Megjithatë, ka ende shumë punë, sipas saj para se Komisioni të fillojë me ftesat e personave që do t’i intervistojë.

“Por, pa u votuar lista dhe hapat e punës së komisionit, nuk mund të bëjmë asgjë njëherë”, shtoi Hoxha.

Ndërkaq, për skandalin e Berishajt, raportoi sot edhe mediumi malazes “Press”, ku u theksua se llogaritë bankare të ambasadorit kosovar janë bllokuar në Mal të Zi.

Kompaia e Berishajt, sipas mediumit malazez ka realizuar një fitim neto prej 99,141 euro në vitin 2016, ndërsa në vitin 2017 fitimi neto është rritur shumë herë në 807,030 euro.

Sipas raportimeve të mediave në Slloveni, ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se i ka transferuar rreth 600 mijë euro para të gatshme nga një llogari bankare në Mal të Zi tek politikani slloven Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Tutje mediumi “Press”, thekson se bëhet fjalë për paratë që kompania “MB Consulting” ka marrë nga kompania energjetike GEN, e cila është e regjistruar në Serbi.

Ndëërkohë një grup qytetarësh të Alternativës së Malit të Zi kanë publikuar sot një deklaratë në rrjetet sociale, duke pretenduar se kompania e regjistruar në Serbi ka financuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ndërsa njerëzit në Ballkan po grinden për kombin dhe fenë, liderët e vendeve ballkanike nuk e kanë atë problem. A e dini se kompania GEN-I doo, e regjistruar për tregtinë e energjisë elektrike në Serbi, financoi kryeministrin e Kosova Albin Kurti Gjegjësisht, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka hapur kompaninë “MB Consulting” doo në Mal të Zi në vitin 2016”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ata shtuan se ishte interesant fakti që vëllai i Martin Berishaj ishte i punësuar nga Nik Gjeljošaj në Komunën e Tuzit si “këshilltar për mirëmbajtjen e faqeve të internetit”.

“Martin Berishaj dhe Nik Đeljošaj janë miq të shkëlqyer. Sa aleancë e mirë e Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë! Jugosllavia e vogël…”, tha Alternativa Mali i Zi.

Ndërkohë nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë deklaruar së fundmi se kanë hapur hetime lidhur me rastin.

Pas grumbullimit të provave në fazën preliminare të hetimit ata kanë konstatuar se s’ka ndonjë parregullsi sa i përket transaksioneve në vlerës prej 600 mijë eurove që i janë bërë firmës së Martin Berishajt nga dega e GEN-it në Beograd, e as sa i përket funksionimit të kompanisë së ambasadorit Berishaj MB Consulting. / Gazeta Enigma.

Related Articles