Ambasadori finlandez: Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë momentumin për normalizim

Ambasadori finlandez: Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë momentumin për normalizim

Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, thotë ambasadori finlandez në Kosovë, Matti Nissinen teksa shprehet optimist se së shpejti do të kemi lëvizje për heqjen e masave. Pret zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit derisa thotë se është momentumi për normalizim dhe zgjerim.

Në një intervistë për KosovaPress, Nissinen flet për hyrjen e Finlandës në NATO, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me Kosovën, për të cilat thotë se do të thellohen meqë sheh potencial tek rinia e vendit. Thekson mbështetjen e Finlandës ndaj Kosovës në të gjitha aspiratat evropiane dhe euroatlantike, me theks të veçantë anëtarësimin në programin “Partneritet për paqe” dhe në Kartën e Adriatikut.

“Mendoj se është momenti për të arritur rezultate për shumë çështje të ndryshme, qoftë për zgjerimin apo dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe shpresoj vetëm se palët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Ne e kemi parë këtë lloj mënyre të menaxhimit të krizave për një kohë të gjatë dhe shpresoj se procesi do të shkojë më shumë për të parë një pamje më të gjerë dhe për të parë të gjitha mundësitë që janë tani në dispozicion dhe mendoj se të gjithë duhet të fokusohen në zbatimin në këtë pikë”, thotë ambasadori finlandez për KosovaPress.

Sa i përket aktit të agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, Nissinen thotë se Bashkimi Evropian pret që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë. Derisa shprehet optimist për heqjen e masave të kthyeshme ndaj Kosovës.

“Bashkimi Evropian pret që ata autorë që ishin pas sulmit të dalin para drejtësisë. Mendoj se ky është një element shumë i rëndësishëm për të theksuar qartë konkluzionet e këshillit. Dhe, po ashtu kur është fjala për këtë faktin tjetër, i cili tashmë është vendosur më herët se cilat janë masat e kthyeshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, në konkluzionet e Këshillit thuhej se në bazë të raportit të përfaqësuesit të lartë, Këshilli do të kthehet në çështje. Dhe në të njëjtën kohë, këshilli mirëpriti se ka pasur progres në përmbushjen e atyre kërkesave që ka pasur Bashkimi Evropian për Kosovën. Pra, shpresojmë se së shpejti do të jemi në një situatë më pozitive për këtë”, thotë ai.

Sipas tij, Kosovës nuk do t’i mungojë mbështetja e Finlandës në politikën e jashtme.

Diplomati finlandez i vlerëson pozitivisht të arriturat e Kosovës, që siç thotë ai, janë evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Thekson se përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane është i qartë.

Related Articles