Ka përfunduar takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
Kryetari i komisionit, Haki Abazi në një konferencë për media, tha se ambasadori gjerman ka kërkuar që dialogu me Serbinë të jetë sa më konstruktiv që është e mundur. Ndërkohë shtoi se Gjermania është e interesuar që çështja e liberalizimit të vizave të përfundojë sa më shpëntë që është e mundur.
Lidhur me këtë, Abazi tha se ambasadori gjerman i ka rekomanduar Kosovës që të angazhohet më shumë te vendet që janë skeptike.
“Liberalizimi i vizave është një ndër temat për të cilat diskutuam bashkë. Interesimi i Gjermanisë është që kjo të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, shumica e vendeve janë pro. Mirëpo ishte edhe rekomandimi i ambasadorit që të angazhohemi më shumë te vendet që janë skeptike. Temë tjetër të cilën e mbuluam së bashku janë investimet tjera nga kompanitë gjermane. Mjedisi investiv duhet të vazhdojë të përmirësohet, sidomos në luftën kundër korrupsionit. U veçua në mënyrë eksplicite numri i lartë i gjermanfolësve”, tha ai.
Ai tha se dialogu duhet të kthehet në çështje të ndërsjellta mes Kosovës dhe Serbisë, e jo për çështje të brendshme të Kosovës, siç e ka keqpërdorur Serbia.
“Çështja e dialogut me Serbinë ishte temë e diskutimit. Ambasadori kërkoi që ky dialog të bëhet në mënyrën më konstruktive të mundshme. Insistimi jonë ishte që ky dialog të mos përdoret për ta mbajtur peng integrimin e Kosovës, siç e ka mbajtur në të kaluarën. Interesimi jonë është që dialogu të mos ndikojë në aspektet tjera, pasi që Serbia e ka përdorur dialogun për ta prolonguar procesin e integrimit të Kosovës”, u shpreh ai.
Abazi komentoi edhe vizitën e Grenellit në Kosovë:
“Z. GRENELL është i mirëseardhur në Kosovë dhe në rajon, por nga aspekti institucional ai ka përgjegjësi tjera. Ka vetëm një marrëdhënie institucionale, ajo mes administratës Biden dhe Qeverisë së Kosovës”, tha ai./Gazeta “Enigma”/