Si viktimë nuk mungon në proceset gjyqësore, por, kur thirret kryeministri Albin Kurti nga Prokuroria Speciale të dëshmojë për një vepër penale – keqpërdorim të pozitës zyrtare – ai nuk i përfillet këtyre ftesave, të paktën jo deri tani, shkruan Gazeta Enigma.
Sot Kurti u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dëmtuarit – pasi ka dyshim të bazuar se është kanosur nga Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani, përmes një postimi në “Facebook”.
Kurse, tash e disa muaj ai i ka injoruar thirrjet e Prokurorisë për intervistim në cilësinë e dëshmitarit duke i ftuar prokurorët të shkonin në zyrën e tij.
Opozita e quan shkuarjen e Kurtit sot në Gjykatë “standard i dyfishtë”
Lidhur me këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, për Gazetën Enigma deklaroi se është absurde që tani kryeministri gjen kohë të shkojë si i dëmtuar dhe të akuzojë persona të tjerë.
“Shihni absurditetin që është në rastin kur kryeministri në detyrë është kanosur, po gjen kohë dhe po lajmërohet në gjykata për ta akuzuar dikë tjetër, ndërsa kur vet është ftuar nga Prokuroria ka refuzuar, gjë që e kanë akuzuar se si një kryeministër në detyrë po i ikë ballafaqimit me drejtësinë. Nuk është paraqitur pasi ka menduar se nuk është e drejtë, i ka ftuar prokurorët në zyrë”.
Sipas deputetes, këto janë standarde të dhjetëfishta të Kurtit dhe se ai sot nuk është dashur të shkojë në Gjykatë, por të tërhiqet nga akuzat për kanosje, derisa s’ka shkuar as në Prokurori.
“Nuk është dashur të shkojë as sot, pasi s’ka shkuar në Prokurori. Duhej të tërhiqej nga këto akuza. Ky është standard i dhjetëfishtë, kjo është qeveria, këto janë standardet e saj, transparenca e saj, s’pritet asgjë e mirë prej këtyre njerëzve”, përfundoi Kadrijaj për Enigmën.
Edhe deputeti Avdullah Hoti reagoi pas kësaj paraqitjeje të Kurtit.
“Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme – e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore”.
“Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar. Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës”, u shpreh Hoti.
Gjithashtu, nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku theksoi se “Kurti shkon në Gjykatë për një status, kurse për aferat milionëshe refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë”.
“Pra, A.K. shkon në Gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, ‘krimi’ i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë.
“Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, shkruan ajo.
Analisti i çështjeve politike, Avni Arifi, shkuarjen e Kurtit në Gjykatë në cilësinë e viktimës dhe refuzimin e shkuarjes në Prokurori e përshkroi në frymë ironie.
“Çasja e Kurtit është si e hoxhës që e kanë nxënë duke ngrënë bukë në Ramazan, dhe kur e panë, ai tha: Ndëgjom çka po të them, e mos këqyr çka po bëj”, tha Arifi për Enigmën.
Pas reagimeve të shumta, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, doli me një sqarim.
Ai shtoi se paraqitja e Kurtit në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij “nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale”.
“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë. Ndërkaq, në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në Gjykatë si palë e dëmtuar”, theksoi Kryeziu./Gazeta Enigma/