Analizë: A është Kosova favorite ndaj Andorrës?

Analizë: A është Kosova favorite ndaj Andorrës?

Të shtunën, më 15 mars, sytë e të gjithë shqiptarëve nga Kosova ishin kah Kombëtarja e Kosovës që e nisi ciklin kualifikues për Kampionatin Europian “Euro 2024” ndaj Izraelit.



Djelmoshat e udhëhequr nga Alain Giresse arritën që të marrin një barazim me rezultat 1-1. Barazim ky shumë i vlefshëm për ecurinë e këtij cikli, duke e parë se ndeshje u zhvillua në Tel Aviv, por me pak fat, “Dardanët” mund të ktheheshin me tri pikë në Kosovë, nëse në minutat shtesë Milot Rashica do ta fuste topin në portë.

Pas Izraelit, Kosova do të përballet me Andorrën më 28 mars ( e marte) nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Për këtë ndeshje Kosova po konsiderohet favorit në letër ndaj Andorrës, skuadër e cila e humbi ndeshjen e parë si vendase ndaj Rumanisë me rezultat 0-2.

Kosova dhe Andorra nuk janë takuar deri tani asnjëherë, ky do të jetë takimi i parë për të dy skuadrat, takim i cili vlen shumë, shumë më shumë se tri pikë.

Në pesë ndeshjet e fundit, Andorra i ka tri humbje, një barazim dhe një fitore ndaj Litenshtajnit.

Kurse, Kosova në pesë takimet e fundit i ka tri barazime, një fitore dhe një humbje.

Kompanitë e basteve e favorizojnë Kosovën, fitorja e “Dardanëve’ kuotohet nga kompania ma e madhe e basteve “Bet365” me 1.17, kurse fitorja e Andorres koutohet me koficient 23.00.

Në bazë të statistikave, Andorra në ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë ishte e dobët, duke e pasur vetëm 33% të posedimit të topit dhe duke bërë vetëm dy goditje në drejtim të kundërshtarit.

Si për nga rezultati edhe nga statistikat Kosova ishte më mirë se Andorra, Dardanët e patën 47% të posedimit të topit ndaj Izraelit, duke i bërë shtatë goditje, tri prej tyre në drejtim të portës, tri jashtë dhe një goditje e bllokuar.

Gazetari i sportit, Shpend Thaçi në një bisedë për Gazetën Enigma thotë se jo gjithherë kur Kosova ka qenë favorite në letër e ka zbatuar në fushë, ai kujton humbjen nga Jordania në vitin e kaluar në “Fadil Vokrri”

Jo gjithmonë kur kemi qenë njëmend favoritë në letër kemi arritur ta përkthejmë këtë gjë edhe me fitore në fushë.  Mjafton të përmendet humbja kundër Jordanisë para një viti e gjysmë në “Fadil Vokrri”, edhe pse kontingjenti I futbollistëve ishte ai kryesori”, vlerëson Shpend Thaçi.

Sipas Thaçit, lojtarët e Kosovës këtë ndeshje duhet ta nisin me idenë se gjithçka është e barabartë dhe të angazhohen për t’i marrë tri pikë.

Pra, duhet nisur me idenë se gjithçka nis sit ë barabartë, 0-0 dhe duhet punuar e angazhuar shumë që pastaj të zhbllokohet sfida, te korret fitorja dhe të dilet me nga katër pikë nga ky grumbullim”, potencon Thaçi.

I pyetur se a do të ketë ndryshime në formacion ndaj Andorrës, Thaçi thotë ndryshime pritet të ketë në mesfushë dhe në sulm, kurse mbrojtja pritet të jetë e njëjtë pa ndryshime.

“Zakonisht Giresse na ka mësuar që brenda dy ndeshjeve të të njëjtit grumbullim, rrallëherë preferon të ndryshojë ndoçka në mbrojtje. Zakonisht ka bërë 2-3 zavëndësime, që kanë prekur mesfushorët dhe sulmuesit anësorë. Njësoj pres edhe kësaj radhe”, vlerëson Shpend Thaçi.

Sipas tij lojtarët që mund të inkuadrohen në ndeshjen ndaj Andorrës janë Betim Fazliji, Valon Berisha dhe Arbër Zeneli në vend të Florent Muslijës, Ibrahim Dresevic dhe Edon Zhegrovës.

“Anipse përzgjedhësi francez i mban hermetikisht të izoluara planet e tij rreth formacionit, do të prisja që Muslija dhe Dresevic të mos aktivizoheshin në pozitat përkatese, kurse në vend të tyre të startonin Fazliji dhe Berisha. Kurse në sulm gjithçka mbetet e hapur në balotazhin Zeneli – Zhegrova”, shprehet ai.

UEFA ka caktuar gjyqtarët për ndeshjen Kosova – Andorra.

Referi kryesor do të jetë austriaku Sebastian Gishamer, teksa ndihmësit e tij do të jenë bashkëkombasit, Roland Riedel dhe Santino Schreiner.

Jager Christopher është caktuar në rolin e gjyqtarit të katërt.

Related Articles