Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Përmes një postimi në facebook Kurti ka bërë të ditur se dërgesa humanitare ka vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, të destinuara për banorët e Gazës që po përballen me kushte të rënda jetese, shkruan IndeksOnline.
Ai ka theksuar se vendimi për dërgimin e ndihmës ishte marrë nga Qeveria e Kosovës që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë,” ka shkruar Kurti në Facebook.
