Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Murat Dernjanit, i dënuar nga Themelorja me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit

Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Murat Dernjanit, i dënuar nga Themelorja me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime kundër njerëzimit Murat Dernjani, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 20 vjet burgim.

Themelorja më 4 korrik 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit Dernjani, duke konstatuar se i akuzuari ka kryer krime që bien ndesh me normat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i Dernjanit, avokati Murat Demolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit të kthejë çështjen në rivendosje ose të ndryshojë aktgjykimin duke liruar të akuzuarin nga akuza.

Kurse, Prokuroria Speciale përmes përgjigjes në ankesë kishte kërkuar që aktgjykimi të vërtetohet. Njëjtë kërkoi edhe Prokuroria e Apelit përmes parashtresës, duke kërkuar po ashtu të refuzohet ankesa e mbrojtjes.

Andaj, Apeli përmes vendimit të përpiluar më 30 prill 2026, ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Themelores, duke kthyer çështjen në rigjykim. Vendimi është marrë nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Vaton Durguti- kryetar, Valon Kurtaj dhe Avni Mehmeti- anëtarë.

Gjetjet e Apelit

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar edhe sipas detyrës zyrtare duhet anuluar, pasi ështe i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe nuk është përpiluar konform me ligjin, pasi që arsyetimi është në kundërshtim me dispozitivin.

Gjithashtu, thuhet se mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa arsyet e dhëna nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat në shkresa të lëndës.

Sipas vendimit të Apelit, Prokuroria Speciale me rastin e ngritjes së aktakuzës kishte ngarkuar të akuzuarin për dy vepra penale por kishte bërë vetëm një përshkrim faktik, dhe kjo çështje nuk ishte adresuar nga Themelorja.

Përveç veprës penale “Krime kundër njerëzimit”, i akuzuari ishte ngarkuar dhe me veprën “Krimet e luftës në shkelje të rënda të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konflikte të armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Apeli shtoi se Themelorja nuk kishte sqaruar qëndrimin e saj rreth veprës së dytë, se a është konsumuar nga vepra e parë, apo rreth fajësisë apo pafajësisë së të akuzuarit lidhur me këtë vepër.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjatë procedurës penale nuk kishte ekzistuar pëlqimi i qartë i mbrojtjes dhe i të akuzuarit për leximin e deklaratave të disa dëshmitarëve sipas propozimit të Prokurorisë, ku i akuzuari kishte kundërshtuar këtë duke shprehur dëshirë për dëgjim dhe ballafaqim të dëshmitarëve.

Apeli konstatoi se këto mangësi procedurale kanë ndikuar drejtpërdrejt në vërtetimin jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

Sipas vendimit të Apelit, Themelorja nuk ka bërë përpjekje për të vërtetuar periudhën e pretenduar të qëndrimit të të akuzuarit në paraburgim deri në ekstradim, si dhe nuk ka arsyetuar se pse kjo periudhë nuk është llogaritur në dënimin e shqiptuar.

Themelorja gjithashtu nuk kishte dhënë arsye lidhur me mungesën e rrethanave lehtësuese, kështu duke rezultuar në mungesë të rrethanave për matjen e dënimit.

Për arsyet e lartcekura, Apeli ktheu këtë çështje në rigjykim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore, duke e udhëzuar të veprojë në pajtim me vërejtjet e dhëna.

Ndryshe, Murat Dernjani akuzohej edhe për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Për këtë akuzë,  Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 janar 2019 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tij duke e dënuar me 5 vjet burgim. 

Related Articles