Vjedhjet e rënda në vendin tonë po rriten çdo ditë e më shumë, duke rritur kështu edhe pasigurinë për qytetarët. Rastet më të shpeshta po ndodhin nëpër shtëpi e banesa, ku hajnat po arrijnë të kapin shuma të mëdha parash, por edhe stoli të arit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe para tri ditësh në një shtëpi në Kçiq të Vogël të Mitrovicës, ku dikush vodhi ari të cilin më pas e shiti.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur më 3 dhjetor, ku në shtëpinë e një personi u ‘avulluan’ stoli të arit në vlerë prej mbi 12 mijë euro, si dhe 11 mijë euro para të gatshme. Hajni që vodhi arin, e shiti te një argjendar, i cili u fut në telashe me ligjin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se N.M., po dyshet se ka blerë stolitë e arit nga i dyshuari që i vodhi dhe të njëjtat i ka vendosur për shitje në argjendarinë e tij.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, argjendaria e të dyshuarit ndodhet në rrugën “Xhafer Deva”, ku edhe u prangos i njëjti. Arrestimit të tij i parapriu kontrolli i Policisë, në asistim me zyrtarët kompetentë të Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast u sekuestrua ari.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që blen, pranon, fsheh apo në ndonjë mënyrë tjetër siguron ose fsheh sendin apo pasurinë për të cilën e di se është përfituar me kryerjen e veprës penale, dënohet me burgim prej një (1) deri në katër (4) vjet.