PSD-ja ka reaguar në profilin e tyre në Facebook pas arrestimit të aktivistëve të tyre nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Në njoftimin e tyre thuhet se “protesta e jonë sot pranë zyrave të ZRrE-së kishte vetëm një qëllim – që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik”.
“Përderisa çmimin e lartë e të papërballueshëm për shumicën e qytetarëve të Kosovës na e kanë treguar menjëherë, shumë prej çështjeve dhe rrethanave që lidhen me këtë vendim qëndrojnë të panjohura, përfshirë këtu edhe vet vendimin”, kanë deklaruar ata.
Tutje nga PSD-ja kanë theksuar se protesta jonë e sotme ishte kërkesë për transparencë.
“Kjo mungesë transparence po minon çdo mundësi që t’i kundërvihemi padrejtësisë sociale të tarifave të reja të energjisë. Për më tepër, mospublikimi i këtij vendimi bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi”.
PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, përfshirë edhe Kryetarin e saj, Dardan Molliqaj.
Sipas këtij njoftimi “arrestimi i tyre përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar dhe kërkuar që vendimet që na prekin të gjithëve të mos qëndrojnë të fshehura publiku”.
“Përdorimi i dhunës së shtetit në shërbim të fshehjes së dokumenteve publike është një tregues i natyrës së pushtetit që sot është vendosur në vend. Kjo çështje na prek të gjithëve e sidomos ata që kanë pak. Andaj edhe kundërshtimi është i drejtë”, kanë theksuar nga kryesia e PSD-së. /Gazeta Enigma/