Arrestimi i Popoviqit e acaron Serbinë – ShBA-ja “mburoja” kryesore e Kosovës

Arrestimi i Popoviqit e acaron Serbinë – ShBA-ja “mburoja” kryesore e Kosovës

Arrestimi dhe vendosja e masës së paraburgimit për një muaj për Igor Popoviqin, ndihmës drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë serbe, nën arsyejen se ka fyer UÇK-në, ka ndezur tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndërkohë midis këtyre tensioneve të ringjallura, qëndron aleatja e Kosovës, ShBA-ja, presidenti i së cilës, Donald Trump, paralajmroi ditë më parë se kanë parandaluar një sulm të mundshëm të Serbisë, kundrejt Kosovës.


Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.


Pas këtij fjalimi në Rahovec, ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.


Ndërkaq, më 20 korrik, ndaj tij u shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.


Popoviq dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Kërcënimi i Vuçiç


Po atë ditë, Vuçiç e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.


“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të hënën tha se deklaratat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pasi Kosova i shqiptoi një muaj paraburgim një zyrtari qeveritar serb, janë kërcënuese që nuk duhet neglizhuar, pasi sipas tij “rrezikojnë sigurinë e rajonit”.


“Deklaratat e presidentit Vuçiç të bëra më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por politikë shtetërore”, tha Kurti gjatë një konference për media.
Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të reagojë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiçit”, që tha se mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi sipas Kurtit, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiçit por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë tonë”, tha Kurti.


Serbia po ashtu për këtë rast ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Popoviqit.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, por edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, e kanë cilësuar si “vendim politik” shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit serb.

Qëllimet destabilizuese nga Serbia, të parandaluara nga presidenti amerikan Trump


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 17 korrik, pati deklaruar se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim që e ka bërë edhe në Uashington ditë më parë, e ka bazuar në informatat e vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.


Përgjatë vizitës në Uashington, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.


“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media javën e kaluar.

“Një ndërhyrje e hapur dhe e rrezikshme në sovranitetin e vendit”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha për Gazetën “Enigma” se “në aspektin strategjik, ky veprim i Serbisë futet në kategorinë e akteve hibride të tipit të “intimidimit institucional dhe operacional”.Shala vlerëson se deklarimet e fundit të presidentit serb po tentojnë të dërgojnë mesazh politik për dominim.


“Ato kanë për qëllim të minojnë legjitimitetin dhe autoritetin e Policisë së Kosovës si institucion i sigurisë publike dhe rendit kushtetues, të krijojnë frikë dhe pasiguri psikologjike ndër zyrtarët që zbatojnë ligjin në pjesën veriore të vendit, si dhe të dërgojnë një mesazh politik për dominim, se veprimet ndaj përfaqësuesve të “Zyrës për Kosovën” do të kenë pasoja personale”, tha Shala.


Sipas tij, kjo qasje “është e ngjashme me doktrinën e ndëshkimit të shërbyesve shtetërorë në territore ku Serbia synon ta ruajë ndikimin përmes strukturave paralele, inteligjencës, ose ndërlidhjeve kriminale”.


Tutje, Shala tha se institucionet kosovare duhet të vendosin masa mbrojtëse dhe me urgjencë.
“Duhet vendosur menjëherë masa mbrojtëse operative si vendosja e mbikëqyrjes së shtuar për pjesëtarët e Policisë të përfshirë në arrestim, masa mbrojtëse, mbrojtje të privatësisë dhe lëvizjeve. Aktivizimi i strukturave të inteligjencës kundërzbulimit për të identifikuar përpjekjet e Serbisë për ndjekje ose shantazh, si dhe njoftimi i KFOR-it dhe EULEX-it për kërcënimet specifike ndaj policisë dhe kërkesa për mbështetje në terren”, shtoi ai.


Më tej, Shala tha se duhet aktivizuar kanalet diplomatike për të paraqitur këtë akt si një sulm të strukturuar.


“Duhet filluar aktivizimi i kanaleve diplomatike në BE, SHBA dhe OKB, duke e paraqitur këtë akt si një sulm të strukturuar ndaj funksionarëve publikë të një shteti sovran. Qeveria duhet të dërgojë një mesazh të qartë publik se shteti do të mbrojë çdo zyrtar që ka zbatuar ligjin dhe se nuk do të lejojë që ndëshkimi nga Serbia të frikësojë strukturat e saj të sigurisë”, tha ai.


“Ky akt përfaqëson një formë të re të konfrontimit hibrid – më inteligjente, më individualizuese, por thellësisht destabilizuese. Mbrojtja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është mbrojtje e vetë autoritetit shtetëror të Kosovës. Tolerimi ose injorimi i këtyre veprimeve do të inkurajonte më tej ndërhyrjet armiqësore të Serbisë në territorin e Kosovës”, përfundoi Shala.

“Kosova nuk do rrijë duarkryq!”


Ish-anëtarja e komisionit parlamentar për siguri, Time Kadriaj, deklaroi për Gazetën “Enigma” se shpresa e deklaratave kërcënuese të Vuçiçit, ka ka humbur në vitin 1999, me përfundimin e luftës në Kosovë.

“Ne asnjëherë nuk e heqim dyshimin dhe nuk e dijmë se cilat janë pretendimet e Serbisë, mirëpo shpresa e deklaratave tëpresidentit serb, Aleksandër Vuciq, iu ka humbur në vitin 1999 me përfundimin e luftës, por pavarësisht kësaj, sot e kësaj dite, ata kanë pretendime për aneksimin e pavarësisë së Kosovës. Nëaspektin e sigurisë, ne e kemi të konsoliduar që kemi ushtri, kemi polici, por e mira është që ne kemi forca e KFOR-it, tëcilat janë garantues të sigurisë së vendit”, tha ajo.

Tutje, Kadriaj theksoi se Vuciq nuk do të ketë guximin për të ndërmarrë hapa destabilizues, sepse do të kishte pasoja nga BE dhe ShBA-të.

“Unë mendoj që presidenti serb nuk do ta ketë guximin që të ndërmarrë dicka, sepse do të përballej me pasoja, qoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë garancë e sigurisë në Kosovë”, shtoi Kadriaj.

“Nëse ndodh një veprim i tillë, normalisht që Kosova nuk do të rrijë duarkryq”, përfundoi ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles