Të mërkurën, 3 korrik, autoritetet e Serbisë arrestuan një shtetas kosovar, nën dyshimet për “krime lufte” në Koshare, në maj të vitit 1999, shkruan Gazeta Enigma.
Institucionet në Serbi ende nuk kanë dhënë detaje të identitetit të të arrestuarit, por vetëm inicialet – F.K., dhe moshën e tij – 56 vjeç.
Lidhur me këtë arrestim, Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe Minisitrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD).
Në përgjigjen e shkurtër të BE-së thuhet se nuk komentojnë hetimet në vazhdim apo procedurat gjyqësore në Serbi.
“Ne nuk komentojmë hetimet në vazhdim apo procedurat gjyqësore”, tha në kushte anonimiteti një zyrtar i BE-së për Gazetën Enigma.
Ndërkohë, MPJD ende nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Enigma dhe nuk ka bërë asnjë reagim për këtë rast.
I vetmi që reagoi ishte Sekretari i Zyrës së Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, i cili tha se është për keqardhje që Serbia, “vendi me historinë më të freskët të krimeve të luftës dhe gjenocidit, nuk dinë të ndalur me arrestimet, siç bëri para pak kohësh, dhe siç ka bërë edhe sot”.
MPJD, në vend të reagimit për arrestimin e kosovarit, i reagoi Haxhollit, duke i dërguar një vërejtje me shkrim Haxhollit, për kritikat e tij ndaj Serbisë.
Pas arrestimit dhe intervistimit, Gjykata e Lartë në Beograd i caktoi një muaj paraburgim të arrestuarit kosovar. Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Beograd, Milica Veliçkoviq, ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ekziston “rreziku i arratisjes”.
Reagime nuk ka pasur as nga Qeveria e Kosovës apo Presidenca.
Shteti serb, përveç njoftmit për arrestim dhe paraburgim prej një muajsh, nuk ka dalë me detaje të tjera.
Beteja e Koshares njihet si një ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betejë kjo që zgjati për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, e cila rezultoi me hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Thyerja e kufirit shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Gjatë atyre luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të UÇK-së. /Gazeta Enigma