Kryetari i Kamenicë, Kadri Rahimaj ka mbajtur konferencë për media pasi Policia e Kosovës të mërkurën arrestoi katër persona, tre zyrtarë komunal dhe një pronar i një kompanie.
Arrestimi u bë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, raporton Gazeta Enigma.
I pari i Komunës së Kamenicë, ka deklaruar se sipas tij paraprakisht kanë dorëzuar një lënd tenderuese në agjensionin kundër korrupsion ku pas dyshimeve të bazuara në këtë drejtim, prokuroria e shtetit në bashkëpunim me policinë i kanë koordinuar aktivitet e tyre edhe kanë reaguar.
Rahimaj ka dhënë detaje duke potencuar se sipas tij me daten 19 tetor të vitit 2020, komuna e Kamenicës ka shpalluar tender për furnizim me dollap për shkollat në vlerë prej 50 mijë euro.
Ndërsa më 13 nëntor të 2020-tës, sipas kryetarit aktual, Komuna e Kamenicës ka lidhur kontratë me kompaninë fituese A.R.F. SH.P.K në vlerë prej 35 mijë euro, ku afati kohorë për realizimin e kontratës ka qenë 30 ditë nga koha e lëshimit të urdhërit për blerje.
Vendi i dorëzimit të dollapëve ka qenë në të gjitha shkollat e Kamenicës.
Më saktësisht 270 dollap supozohet të jenë shpërndarë në tetë objekte shkollore.
Shkollat në të cilat ishte dashur të shpërndahen dollapët janë shkollat:
Dëshmorët e Kombit – Kamenicë, Fan Noli -Kamenicë, Abdullah Krasniqa – Koretin, Rexhep Mala Topanicë, Sadri Misini – Shipashnicë e Epërme, Metush Krasniqi -Roganë, 17 shkurti – Muqiverc dhe Avni Rrustemi – Karaçevë e Epërme.
“Kompania e sjellë faturën në vlerën e kontratës kurse komuna e Kamenicës e ekzekuton pagesën e faturës në datën 23/12/2020 duke u bazuar ne raportin përfundimtar”, potencon i pari i Komunës së Kamenicës.
Tutje ai deklaron se, “në bazë të asaj që kemi hulumtuar në terren dollapët e kontraktuar nuk gjenden në objektet shkollore, Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtorët e shkollave se i njeti mallë nuk gjendet në objektet shkollore “.
Rahimaj për këtë rast “gishtin” e drejton kah ish kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
“Për ne mbetet shqetësuese se si qeverisja e kalume e udhëhequr nga PSD nuk ka nisur asnjë procedurë për rastin në fjalë edhe pse ka qenë në dijeni të plotë”, thotë ai.
“Këtë e bazojmë edhe në atë që kemi parë në kallzimin penal që tre zyrtarët e arrestuar kanë potencuar kur kanë ngritur këtë kallxim penal ndaj kompanisë në fjalë e me çrast citohen emrat e kabinetit të kryetarit, ky kallxim penal është ngritur me 1 dhjetor të vitit 2021”, përfundon Rahimaj.
Ndryshe, vlera e tenderit për të cilin janë arrestuar këta persona është mbi 35 mijë euro sipas Policisë së Kosovës.
Të njëjtit dyshohen se kanë bërë keqpërdorime në një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë.
Sipas Policisë, të dyshuar janë komisioni vlerësues i Komunës së Kamenicës, të dyshuarit P.J., I.Z. dhe F.D dhe pronari i një kompanie, A.K., të cilët Policia thotë se dyshohen se kanë mashtruar me një tender në vlerë mbi 35 mijë euro.
“Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ,”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik””, konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për ‘Enigmën’.
LEXO EDHE: FOTO – Ky është biznesmeni që u arrestua për tenderin mijëra eurosh në Kamenicë
Të gjithë me vendim të prokurorit, pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
“Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme”, thuhet nga PK-ja./Gazeta Enigma/