Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e shpeshta, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm.
Kështu kishte ndodhur pak ditë më parë në rrugën ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë, ku një i ri ishte përballur me një sulm fizik nga tre persona, të cilët më pas ia vodhën edhe telefonin.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 21-vjeçari kishte denoncuar rastin në Polici, ku kishte deklaruar se të dyshuarit e kanë goditur me shkopinj druri dhe si pasojë kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Viktima ka marrë edhe ndihmë mjekësore, ndërkohë që organet e hetuesisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të idenitifkuar të dyshuarit.
Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme janë arrestuar dy të dyshuar, njëri prej tyre i mitur, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Grabitje’, ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Vjedhje e rëndë’.