Policia ka arrestuar një të dyshuar për një rast të plagosjes me armë zjarri të ndodhur në Podujevë më 4 janar të këtij viti, raporton Gazeta Enigma.
I arrestuari dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe për lëndim të rëndë trupor.
“Lidhur me rastin, me 17.04.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është konfiskuar arma e zjarrit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.
Rasti ka të bëjë me një përleshje me armë zjarri mes dy grupesh rivale që kishte ndodhur në fillim të këtij viti në Podujevë, gjegjësisht në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku tre persona ishin arrestuar dhe dy të dyshuar kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Në këtë rast, tre persona kishin mbetur të plagosur nga arma e zjarrit që ishte përdorur në këtë rast.
