Një serbe nga Kosova është arrestuar në Zvicër për mashtrim.
Ajo dyshohet se kishte mashtruar një grua të moshuar duke ia marrë asaj 27 mijë franga (mbi 27 mijë euro).
Ngjarja kishte filluar në prill të vitit 2022 kur serbja iu kishte ankuar të moshuares se kishte një urgjencë duke arritur që t’ia marrë asaj 50 franga (mbi 50 euro).
Në rastin tjetër, 33 vjeçarja e kishte telefonuar 74 vjeçaren, duke i thënë se duhet urgjentisht të shpëtonte jetën e anëtarëve të familjes së saj të cilët ndodheshin jashtë shtetit zviceran.
Serbja nga Kosova sërish i kishte kërkuar para gruas së moshuar duke i thënë se një shoqe e saj kishte nevojë urgjente për para. Kjo nuk ishte e tëra, pasi në një rast tjetër serbja i kishte thënë viktimës së saj se vetë ajo kishte tumor në tru dhe duhej t’i nënshtrohej kimioterapisë.
Por, 33 vjeçarja nuk u ndal as me kaq duke vazhduar t’i kërkonte vazhdimisht para.
Mes tjerash, serbja i kishte thënë se duhej t`i hiqej një veshkë djalit të saj katër vjeçar në Kosovë.
E dyshuara i kishte premtuar të moshuarës se do t’ia kthente pasi të shiste një pronë të saj që kishte në Kosovë. Pasi nuk ka arritur t’ia kthej paratë, ajo është arrestuar nga policia dhe ndaj saj Prokuroria e kantonit të Zug-ut ka ngritur aktakuzë për mashtrim.
Në momentin e arrestimit 33 vjeçares iu gjetën 2 mijë e 500 franga ( mbi 2 mijë e 500 euro).