Mediumet italiane raportojnë se një shqiptar 28-vjeçar, i kërkuar në lidhje me sulmin me kamon në qytetin francez Nice në vitin 2016, ku vdiqën 86 persona, është arrestuar në jug të Italisë.
Agjencia e lajmeve “LaPresse” thotë se policia arrestoi të dyshuarin, të identifikuar si Endri Elenzi, të mërkurën në Sparanise rreth 40 kilometra në veri të Napolit.
Elenzi ishte kërkuar me urdhërarrest të lëshuar nga Franca, me pretendimin se ka ofruar armë për sulmuesin Mohamed Lahouaiej Bouhlel.
Bouhlel ishte vrarë nga Policia pasi ai me kamion kishte goditur turmën e njerëzve që ishin mbledhur në “Promenade des Anglais” të Nices, që ishin mbledhur për të shikuar spektaklin e fishekzjarrëve në Ditën e Bastillës.
Shteti Islamik kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e 14 korrikut të vitit 2016. Autoritetet franceze kanë thënë se Bouhlel, një shtetas tunizian me banim në Francë, ishte inspiruar nga propagandat e grupit ekstremist.
Prokurorët anti-terror në Francë vitin e kaluar kanë bërë kërkesë formale që nëntë të dyshuar të përballen me gjykim në lidhje me sulmin.