As Qeveri e shumicës, as e pakicës, e as e unitetit – Nyja e partive nuk zgjidhet

As Qeveri e shumicës, as e pakicës, e as e unitetit – Nyja e partive nuk zgjidhet

Kosova po përballet me një bllokadë politike që ka paralizuar institucionet që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Në këtë klimë tensioni, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur një plan ambicioz për një Qeveri Uniteti me 15 pika, që synojnë të rikthejnë funksionalitetin institucional, të adresojnë krizën ekonomike dhe energjetike, si dhe të forcojnë pozicionin ndërkombëtar të vendit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Propozimi i Lumir Abdixhikut për Qeverinë e Unitetit synon të formojë një qeveri tranzitore duke përfshirë të gjitha partitë parlamentare.

Për këtë, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me të gjitha partitë parlamentare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm.

Në idenë e shpalosur të enjten, plani ofron gjithashtu një agjendë 15-pikëshe për të adresuar krizën politike:

Përmbledhje e 15 pikave:

1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura.

2. Rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit për Paga.

3. Pako emergjente për menaxhimin e krizës energjetike.

4. Fillimi i projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës.

5. Rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në dhe rikthimi i politikës së jashtme aktive.

6. Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

7. Fillimi i procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë për vendin.

9. Ndryshime kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

11. Përgatitja institucionale për Lojërat Mesdhetare.

12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave dhe ndryshimet e nevojshme.

14. Përgatitja për zgjedhje të rregullta dhe të lira demokratike brenda 10 muajve.

15. Krijimi i një mekanizmi për transparencë dhe llogaridhënie gjatë periudhës kalimtare.

Sa janë të gatshme partitë për Qeveri të Unitetit?

Duke e propozuar agjendën me 15 pika si mënyrë për të dalë nga ngërçi politik, Abdixhiku tha se “Qeveria e unitetit kombëtar nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është më e mira e mundshme, por është përgjegjësia që ajo bart në vete, domosdoshmëri për gjendjen e tanishme.”

Ai shtoi se kjo “është një kontratë nderi mes forcave politike dhe qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme.”

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ide.

Kreu i VV-së ka thënë se LVV dëshiron një qeveri normale, jo të përkohshme, tranzitore, teknike apo të opozitës. Sipas Kurtit, eksperimentet nuk i bëjnë nder dhe as dobi askujt.

“Ne duam qeveri normale, jo të përkohshme, tranzitore, teknike apo qeveri të opozitës. Opozita është opozitë sepse s’është qeveri. Qeveria e opozitës s’është e mundur. Duam qeveri normale. Eksperimentet s’na bëjnë as nder e as dobi”, ka deklaruar Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se preferon një ekzekutiv mes partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Unitetit, e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mund të jetësohet.

Ai theksoi se një gjë e tillë nuk mund të realizohet, pasi është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk e kam parë planin, me të thënë të drejtën. Për sa i përket propozimit, unë jam deklaruar disa herë – një propozim i tillë, për t’u trajtuar seriozisht, para së gjithash kërkon shprehjen e vullnetit nga të gjitha palët, dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar. Më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme. Sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dhe ta diskutojnë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në momentin kur mungon njëra parti, siç është rasti i Vetëvendosjes, duhet të merret parasysh propozimi i PDK-së.

“Në momentin kur mungon Vetëvendosja, i bie që kthehemi te propozimi që kemi dhënë si PDK – qeveria e partive të ish-opozitës. Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në, AAK-në dhe Nismën, dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin, por edhe përkushtimin për ta jetësuar, nëse edhe LDK e ka vullnetin e tillë”, ka shtuar Krasniqi.

Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, është treguar i gatshëm të diskutojë për idenë e Abdixhikut, por megjithatë ka theksuar se e mbështet një qeveri të opozitës.

“Unë mirëpres mundësinë e konsultave – cila formulë, cili opsion. Tani qëndrimet ndryshojnë. Ju e dini, unë angazhohem për qeveri të opozitës dhe vazhdoj të mbetem në këtë qëndrim. Pra, për qeveri të opozitës. Ndërsa jam i hapur për konsulta në këtë rast me LDK-në, me PDK-në dhe me partitë parlamentare të opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se rezultati zgjedhor i ka paralajmëruar se do të ketë një situatë politike siç është aktualisht.

Sipas Limajt, qytetarët kanë votuar dhe porosia e tyre ka qenë që për të qeverisur vendin duhet një marrëveshje politike, duhet bashkëqeverisje.

“E kuptueshme që menjëherë pas procesit zgjedhor, me atë situatën e gjaknxehjes së fushatës elektorale, por pastaj kam pritur që forcat politike ta interpretojnë drejtë rezultatin zgjedhor. Të ulën dhe të gjejnë zgjidhje, për ta ndërtuar një marrëveshje politike e cila do t’i jepte vendit institucione”, tha Limaj.

Tutje, ai u shpreh se aktualisht janë dy mundësi, ku sipas tij, e para është që forca e parë politike, Lëvizja Vetëvendosje, të gjejë partner qeverisës, dhe varianti i dytë, sipas tij, është që opozita e deridjeshme t’ia ofrojë vendit një alternativë.

“Mundësia e parë është që forcat politike ashtu siç e kërkon, partia e parë nga shqiptarët por edhe e drejta ligjore i takon që t’i bëjë veprimet e para për të tentuar për të ndërtuar një shumicë parlamentare që do të garantonte institucionet e vendit dhe partia e parë duhet të gjejë partner”.

“Dhe varianti i dytë, nëse ish-opozita, nuk është e interesuar, siç është e deklaruar, që në asnjë variantë të jetë me ata që kanë qenë deri sot në pushtet në një marrëveshje politike, atëherë të bëjë hapa të tjerë për t’ia ofruar vendit një alternativë”, ka thënë ai.

“Nismë pozitive, por me boshllëqe”

Analisti politik Blerim Burjani tha për “Enigmën” se e sheh propozimin e LDK-së si një nismë pozitive, por thekson se ka boshllëqe në sqarimin e pikave dhe se programi duhet të hartohet nga një ekip ndërpartiak për të siguruar konsensus.

“Është tentativë për të bërë program apo pika programore të angazhimit të një qeverie uniteti. Pra, është propozim që mbledh disa pika të rëndësishme për shtetin, por lë boshllëqe në sqarimin e disa pikave, të paktën këto që kanë dalë në publik. Një program uniteti me një qeveri uniteti duhet të përpilohet nga një ekip ndërpartiak për të arritur konsensusin. S’do mend se është pozitive përpjekja e LDK-së”, tha ai.

Analisti vëren se zbatimi i pikave programore varet jo vetëm nga vullneti politik, por edhe nga mundësitë financiare dhe nevoja për qartësi në çështje si ndryshimet kushtetuese.

“Tash, me rëndësi është së pari vullneti për një qeveri unitetibrenda një viti deri në zgjedhje. Kjo ka përparësitë e saj për tëzgjidhur disa probleme që asnjë subjekt në Kosovë vetë nëqeveri nuk mund t’i përmbyllë siç duhet dhe pa kundërshtim. Pikat programore nuk varen shumë nga vullneti politik, por ngabuxheti dhe po ashtu disa tema, si ndryshimi i Kushtetutës. Ka disa pika të cilat duhet të qartësohen jashtëzakonisht shumë përtë pasur një pasqyrë të qartë se çfarë kërkohet”, theksoi ai.

“Po, kapërcim mund të ketë sesa ky ngërç i pakapërcyeshëm. Duhet të gjendet metoda apo politika metodologjike për të dalënga ky stopim total”, shton ai.

Tutje, ai e sheh planin si një përpjekje për të kaluar një periudhëtranzitore deri në zgjedhje, por jo si zgjidhje optimale, dhe sugjeron një kryeministër jashtë partive për të garantuarneutralitet.

/Gazeta Enigma/

Related Articles