Asociacioni, “sfida” e vitit 2022 për Qeverinë “Kurti”

Asociacioni, “sfida” e vitit 2022 për Qeverinë “Kurti”

Avancimi i dialogut me Serbinë, si dhe shtyrja përpara e marrëveshjes së Asociacionit, pritet të jenë dy sfidat kryesore të Qeverisë “Kurti”, gjatë vitit 2022, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse dialogu vazhdon të jetë i bllokuar, për shkak të mospajtimit të dyja vendeve për Asociacionin, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor është thënë se arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese me Serbinë është urgjente dhe shumë e rëndësishme në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Kreu i Qeverisë, Albin Kurti por edhe presidentja, Vjosa Osmani tashmë kanë thënë se nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike, ndonëse një gjë të tillë e kërkon pala serbe në secilin takim.

E përkundër se viti 2022, po konsiderohet si vit kyç për dialogun, analistët vlerësojnë se kryeministri Kurti nuk ka një strategji të qartë për dialogun.

“Kurti, pa strategji në dialog”

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se viti 2022, nuk do të jetë viti kur parashihet të ketë përparim të madh të dialogut.

“Jam i sigurt se nuk do të ketë përparim të madh në dialog. Ata do të takohen, mirëpo nuk do të pajtohen për asgjë të rëndësishme. Mund të pajtohen për disa çështje siç është ajo e personave të pagjetur. Evropianët mund të flasin për urgjencën e arritjes së marrëveshjes, mirëpo nuk do të thotë se diçka që është urgjente, është edhe e mundshme”, ka thënë ai në një intervistë.  

Kurse sa i përket Asociacionit, sipas tij vet kërkesa për themelimin e tij është shumë e çuditshme.

“Mendoj se ka shumë dilema dhe dezinformata rreth tij. Duhet t’i kemi parasysh dy gjëra shumë të rëndësishme. E para, Asociacioni nuk ka qenë diçka që dikush vërtet e ka dashur. As serbët, as kosovarët nuk e kanë dashur. Është diçka që është hartuar në Bruksel në stilin tipik të Bashkimit Evropian dhe si kompromis i paqartë që do t’ia mundësonte secilit shtet lëvizjen përpara. Kur them se serbët nuk e kanë dashur atë, e them sepse serbët kanë dashur të mbesin brenda sistemit serb, ata nuk kanë dashur të jenë pjesë e këtij sistemi të Asociacionit. Ata kanë dashur vazhdimin e institucioneve paralele, sikurse Beogradi”, ka thënë ai.

Opozita kërkon unitet për Asociacionin

Deputeti i AAK-së, Pal lekaj, për Gazetën Enigma, duke folur për Asociacionin ka thënë se në këtë pikë duhet unitet i spektrit politik, dhe duhet ndërtuar një pozicion i qartë, karshi Serbisë.

“Kur tani zërat për themelimin e Asociacionit po shtohen, vendit i duhen pozicione të qarta dhe është e nevojshme unifikimi i spektrit politik pozitë-opozitë sidomos në terma nacionale siç ishte kjo me Asociacionin, dhe jo tё kemi arrogancën e pozitës për shkak të numrave, sepse si shtet na presin procese të rëndësishme që do të orientojnë dhe përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë ai. .

Tutje ai ka shtuar se “Partia e AAK-se dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë”.

Tutje duke folur për Asociacionin, Lekaj ka thënë se “Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe ai për Bashkëpunim Ndërkomunal (BNK), rregullon në esencë mënyrën e bashkëpunimit në mes të komunave”.

Po ashtu sipas tij legjislacioni për vetëqeverisje lokale garanton të drejta ekskluzive për komunitetet;

“Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka një vendim kushtetues që reflekton qartë pikat që bien në kundërshtim dhe rrugën që duhet ndjekur, nuk ka nevojë për zhvlerësim të marrëveshjes ndërkombëtare, por qartësi për statutin e Asociacionit në linjë me rekomandimet e GJK-së, dhe s’duhet të ketë dykuptimësi, por qartësi milimetrike”, ka thënë ai.

Sipas deputetit Lekaj, Asociacioni nuk mund të jetë strukturë mbi komunale; as një etnik, duke rrezikuar karakterin multietnik të Kosovës dhe asociacioni nuk mund ta minojë rolin kushtetues në shtetin dhe sistemin politik e qeverisës në vend;

Ngecjet në procesin e dialogut

Në anën tjetër, Demush Shasha nga Instituti “Epik”, për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se ka ngecje në dialogun Kosovë –Serbi, të cilat theksohen në secilin raport të BE-së, kur përmendet Kosova.

“Institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në kryerjen e detyrave që janë në përgjegjësinë e tyre. Rrjedhimisht, konsideroj se për qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm për liberalizimin e vizave, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë progres të ndjeshëm në sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë. Pa përmbushjen e këtyre dy parakushteve e shoh të pamundur çfarëdo progresi sa i përket liberalizimit të vizave”, ka thënë ai. |

Se nuk ka vullnet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare tek dyja vendet, e ka theksuar në dhjetor të vitit të kaluar edhe Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai paralajmëroi që parakusht për aranzhimin e takimit të radhës duhet të jetë gatishmëria e palëve që të merren vesh rreth rezultateve konkrete, në të mirë të qytetarëve të tyre.

“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, kishte thënë Stano. / Gazeta Enigma.

Related Articles