Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2018”, i cili ka për qëllim t’i ofroj Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës informata lidhur me veprimet e institucioneve publike për zbatimin e rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës.
Subjekt i raportit të vlerësimit ishin 123 rekomandime të dhëna në shtatë raporte të auditimit të performancës, publikuar gjatë vitit 2018, e që përfshijnë 46 institucione publike.
Zbatimi i disa rekomandimeve në nivel individual të subjekteve të audituara në tre nga shtatë raportet e auditimit të performancës ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes së identifikuar.
Megjithatë, duke pasur parasysh se rekomandimet për këto raporte janë dhënë rreth pesë vite më parë, angazhimet e subjekteve të audituara për të zbatuar rekomandimet e dhëna nuk janë të mjaftueshme.
Sipas rezultateve të vlerësimit, niveli i zbatimit të plotë të rekomandimeve për shtatë raportet e auditimit të performancës ishte 37%, ndërsa 25% e rekomandimeve janë trajtuar dhe janë në faza të ndryshme të zbatimit të tyre, kurse pjesa tjetër (38%) nuk janë zbatuar, nuk janë më të aplikueshme si dhe për disa prej tyre nuk janë dhënë përgjigje.
Nga 123 rekomandime të dhëna, 45 prej tyre janë zbatuar, shtatë janë në fazën finale të zbatimit, 10 rekomandime janë duke u zbatuar, pesë rekomandime nuk kanë filluar të zbatohen, 14 rekomandime nuk janë më të aplikueshme për subjektet e adresuara (për nëntë nga to përgjegjësitë kanë kaluar në subjekte tjera derisa pesë nuk janë të aplikueshme më), ndërsa për 42 rekomandime subjektet e audituara nuk kanë dhënë përgjigje nëse është marrë ndonjë veprim për zbatimin e tyre.
Lidhur me këtë raport të auditimit, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se mungesa e përgatitjes së planit të veprimit, mosgatishmëria e disa institucioneve që t’i përgjigjen vlerësimit si dhe numri i pamjaftueshëm i rekomandimeve të zbatuara, tregojnë mungesën e përkushtimit të institucioneve publike për të përmirësuar performancën e tyre dhe menaxhimin e parasë publike.
Përveç mangësive, vlerësimi konstaton se institucionet kanë ndërmarrë disa veprime të cilat mund të rezultojnë në përmirësimin e aktiviteteve në fushën e mjedisit, shëndetësisë, çështjeve sociale, prokurimit dhe punësimit.
“Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve si proces përcjellës është realizuar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”, njofton ZKA.