Autoritetet serbe po vazhdojnë të arrestojnë shtetas të Kosovës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në fund të viteve ’90. Teksa Serbia ka shtuar rastet e arrestimeve ndaj shtetasve kosovar, ekspërtët thonë se kjo është “politikë e brendshme hakmarrëse e Serbisë”, shkruan Gazeta “Enigma”. Ndërkohë bashkësia ndërkombëtare deri më tash s’i ka komentuar këto arrestime
Së fundmi, të martën Policia serbe e ka arrestuar një burrë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdare, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99, njoftuan autoritetet serbe të martën.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar.
Sipas njoftimit, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Nuk është e qartë kur është arrestuar ai, por autoritetet serbe theksojnë se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.
Intensifikimi i arrestimeve ndaj shtetasve kosovar
Para një muaji, autoritetet serbe i arrestuan dy persona në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Ata u arrestuan në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve, të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.
Më 22 korrik ato e arrestuan Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Para një muaji u ndalua edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ndaj tij ende nuk është bërë publike.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është një prej disa policësh ose ish-policësh që e kanë gjetur veten prapa hekurave në Serbi.
Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi.
Autoritetet e drejtësisë atje i shqiptuan masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”.
Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë. Ai ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022. Para tij, në Serbi u arrestuan edhe disa policë ose ish-policë të Kosovës me etni shqiptare dhe serbe.
“Arrestimet – politikë e brendshme e Serbisë”
Ish-shefi i Policisë së Kosovë, Rashit Qalaj, tha se arrestimet e Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës kanë të bëjë me politikat e brendshme të Serbisë.
“Arrestimi i shqiptarëve që po bëhet në kufijtë me Serbinë, ka tëbëjë kryesisht me gjendjen e pasigurisë që gjendet në Serbi. Ju e dini që atje është duke mbretëruar një atmosferë mjaft e tensionuar për shkak të protestave të studentëve dhe qytetarëve të Serbisë ndaj regjimit të Vuçiqit, dhe si zakonisht, regjimi i tij tenton të mbijetoj me temën e Kosovës ose me temat përreth saj. Dhe në këtë rast, ata tentojnë që me arrestimin e shqiptarëve, qëi akuzojnë gjoja për krime lufte, të tregojnë në Serbi që gjoja janë duke bërë diçka për të ruajtur influencën e Serbisë në Kosovë, mirëpo në fakt unë mendoj që kjo ta bëjë kryesisht me tema të brendshme të Serbisë”, tha Qalaj për Gazetën “Enigma”.
Ish-anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri në Parlament, tha se institucionet e Kosovës nuk po mund të bëjnë presion tek faktori ndërkombëtar për shkak të raporteve të dobëta.
“E keqja është që institucionet e Kosovës nuk i kanë raportet e mira me partnerët ndërkombëtar dhe çfarëdo trysnie e institucioneve të Kosovës në raport me Beogradin, nuk është duke u trajtuar seriozisht nga partnerët, sidomos nga BE. Presioni i Kosovës për lirimin e qytetarëve të Kosovës, lidhet kryesisht me palën evropiane, dhe kur nuk i ke raportet e mira, mendoj që ky presion dhe kërkesat e Kosovës, nuk trajtohen ashtu siç duhet”, përfundoi ai.
Ekspertët: Serbia po kryen arrestime pa prova, me motive politike dhe hakmarrëse
Eksperti i sigurisë, Avni Islami tha për Gazetën “Enigma” se Serbia po arreston shtetasit kosovar pa fakte, në shenjë hakmarrje, përkundër Kosovës e cila ka kryer arrestime me prova.
“Serbia në krye me Vuçiqin dhe aparatin e tij shtetëror është pushtet hakmarrës dhe për dallim nga institucionet e Republikës së Kosovës që kur kryejnë një arrestim kanë prova dhe fakte të mjaftueshme se qoftë kanë kryer ndonjë vepër penale apo qoftë kanë marrë pjesë në luftërat në Kosovë mbi masakrat dhe të njëjtën gjë e bën Serbia, por ata nuk i kryejnë se kanë fakte por i bëjnë në shenjë hakmarrje për motive politike”, tha ai.
Islami kërkon që të merren parasysh thirrjet e autoriteteve vendore për shmangie të udhëtimeve përmes territorit të Serbisë.
“Thirrjet që vazhdimisht kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës, jo vetëm tani në këtë kohë por që nga përfundimi i luftës që ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dihen me emër dhe mbiemër dhe unë shumë besoj që Serbia i ka në data-bazat e saj secilin pjesëtar të UÇK-së por edhe të policisë sonë apo të FSK-së, por edhe eventualisht të AKI-së, që të jenë të kujdesshëm që të mos lëvizin nëpër Serbi, që të mos ja jepin rastin dhe mundësinë që ata të arrestohen për diçka që madje edhe nuk kanë qenë”, përfundoi ai.
Kurse eksperti i Sigurisë Kombëtare, Drizan Shala, tha se me arrestimet, Serbia po tenton të krijojë frikë dhe pasiguri tek shtetasit kosovarë.
“Persekutimi i vazhdueshëm i qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe është një praktikë e papranueshme dhe e dëmshme, e cila synon të krijojë frikë dhe pasiguri tek qytetarët tanë dhe njëkohësisht të sfidojë shtetësinë e Kosovës” tha ai për “Enigmën”.
Shala tha se institucionet duhet ta trajtojnë këtë si çështje shtetërore dhe ndërkombëtare, në mënyrë që Serbia të mbahet përgjegjëse për veprimet represive të saj.
“Institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë si çështje shtetërore dhe ndërkombëtare, duke ngritur çdo rast para partnerëve tanë strategjikë, organizatave ndërkombëtare dhe mekanizmave të drejtësisë. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për këto veprime represive, ndërsa Kosova duhet të forcojë koordinimin mes Policisë, AKI-së dhe diplomacisë për të mbrojtur qytetarët tanë, kudo që ata ndodhen. Në të njëjtën kohë, qytetarëve duhet t’u ofrohet mbështetje konkrete dhe një mekanizëm i qartë raportimi për çdo rast të persekutimit. Kosova nuk do të lejojë që qytetarët e saj të trajtohen si peng i politikave të vjetra të Beogradit”, përfundoi Shala.
/Gazeta Enigma/