Një salmonele e gjetur në llojin e mishit të bardh “Copacol” në Shqipëri ka ngritur alarmin e sigurisë së mishit edhe në Kosovë, raporton Gazeta Enigma.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, filloi kontrollet menjëherë për mishin që importohet nga Brazili në Kosovë, kështu ka njoftuar zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi.
“Menjëherë pas raportimit në media mbi incidentin për mishin e bardh me origjinë nga Brazili, ne kemi ngrit masat e kontrollit por deri më tani nuk ka asnjë fakt që lidh incidentin e ndodhur në Shqipëri me produktet në Kosovë. Ne kemi marr konfirmim edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të Shqipërisë se nuk ka pasur asnjë ri-eksport të ngarkesave nga Shqipëria në drejtim të Kosovës”, theksoi ai për Gazetën Enigma.
Thaçi theksoi se janë duke pritur rezultatet nga mostrat e mishit që janë marrë në Kosovë.
“Mbi bazën e kësaj ne menjëherë e kemi ngritur masat e kontrollit duke mostruar secilën ngarkesë që vjen në import, dhe deri më tani kanë ardhur shtatë, të gjitha janë mostruar dhe pritet që të dal rezultati. Këto ngarkesa qëndrojnë të bllokuara deri sa të vjen rezultati i analizave, po ashtu në kontrollin e brendshëm kemi kryer kontrollet në pikat shitëses dhe në depon e importuesit të njërit lloj të produktit. Edhe tek depoja edhe tek pikat shitëse është urdhëruar tërheqja nga tregu. Ndërsa tek depoja është urdhëruar që të mos dalin në treg asnjë produkt i cili është në stok”, shtoi ai. / Gazeta Enigma.